Tjetër humbje për kampionët në fuqi të Cleveland Cavaliers e treta radhazi në ndeshjet parasezonale të Nba. Në ditën e rinovimit të kontratës nga ana e JR Smith për katër sezonet e ardhshme, trajneri Tyron Lue la edhe njëherë tjetër pushim tre yjet e skuadrës James, Irving dhe Love.
Pa të ashquajturën “Big Three” Cleveland nuk mundi të bënte asgjë duke u mposhtur në Ilionois nga Chicago Bulls me rezultatin 118-108.
Holland me 23 pikë ishte ai që udhëhoqi vendasit drejt kësaj fitoreje. Spektakolare ndërkohë sfida e zhvilluar në Colorado mes Denver Nuggets dhe Golden State Warriors.
Miqtë fituan vetëm pas kohës shtesë me shifrat 129-128 një duel që prodhoi shumë emocione. Një paraqitje e shkëlqyer ajo e Nuggets, me Denverin që vuri në vështirësi serioze skuadrën më të kuotuar për të fituar titullin kampion në sezonin e ri. Stephen Curry realizoi 22 pikë në 27 minuta lojë për Warriors ndërsa Kevin Durant u mjaftua me 19 pikë në vetëm 22 minuta të luajtura.
Te Nuggets spikatën Nurkic e Jokic por pa harruar këtu italianin Danilo Gallianari që koleksionoi në total 19 pikë dhe 8 rebound.
Një fitore të rëndësishme arriti edhe Orlando Magic që në Florida u imponua me shifrat 114-106 ndaj Indiana Pacers.
Kjo ishte fitorja e trajnerit Frank Vogel ndaj ish skuadrës së tij por edhe e blerjes së re të Orlandos spanjollit Serge Ibaka. Ish lojtari i Oklahoma City Thunder shënoi 19 pikë në 29 minuta lojë. Dështoi të merrte fitoren e 4-t radhazi San Antonio Spurs që Teksas u mposht me rezultatin 108-100 nga Miami Heat.