Një natë fantastike ka qenë në elitën e basketbollit amerikan NBA me 12 ndeshje që janë zhvilluar dhe ku nuk kanë munguar edhe befasitë.
Chicago Bulls e ka nisur me fitore sezonin e ri, pasi ka arritur të mposhtë Miami Heat në udhëtim me tetë pikë epërsi 108:116.
Ka qenë DeMar DeRozan që ka dhuruar një shfaqje fantastike me 37 pikë, gjashtë kërcime e nëntë asistime në fitoren e Bulls.
Me lojë të mirë te mysafirët u dalluan edhe Dosunmu me 17 pikë si dhe qendra malazeze Vucevic me 15 pikë e 17 kërcime.
Ylli amerikan Jimmy Butler ishte më i dalluari te vendasit me 24 pikë, por që nuk i mjaftuan për ta shmangur humbjen e Miamit.
Njësoj si Miami, me humbje sezonin e ka nisur edhe Brooklyn Nets që janë befasuar në Barclays Center nga New Orleans Pelicans.
Mysafirët shënuan fitore të thellë me 22 pikë epërsi duke u përkujdesur për befasinë e mbrëmjes.
Brandon Ingram me 28 pikë si dhe Zion Williamson me 25 të tjera ishin më meritorët për fitoren e Pelicans.
Kevin Durant ishte fantastik te vendasit me 32 pikë, por që nuk i mjaftuan për fitore. /Telegrafi/