Telegrafi

Chicago Bulls të pandalshëm, mposhtin përsëri Brooklynin

Janë zhvilluar gjashtë ndeshje në natën e mbrëmshme në elitën e basketbollit amerikan NBA.

Padyshim që takimi kryesor ishte mes Brooklyn Nets dhe Chicago Bulls, ku mysafirët kanë arritur fitore me katër pikë diferencë 107:111.

Ishte një ndeshje shumë interesante, ku Nets ishin në epërsi gjatë tre çerekëve të parë, por Bulls bën rikthimin e madh në fundin e ndeshjes.

Zach LaVine ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë duel për Chicagon me 31 pikë të shënuara, tetë kërcime e gjashtë asistime.

Me lojë të mirë u dallua DeMar DeRozan që shtoi 29 pikë, gjashtë kërcime e tre asistime, derisa me pikë dyshifrore e mbyllën edhe Vucevic dhe Dosunmu që shtuan nga 11 pikë.

Kevin Durant ishte më efikasi tek Nets, që realizoi 28 pikë, 10 kërcime e katër asistime, por që nuk mjaftuan për fitore.

Për Chicagon kjo ishte fitorja e dytë ndaj Nets këtë edicion, derisa Bulls tani ndodhen në vendin e dytë në Lindje me 16 fitore e tetë disfata.

/Telegrafi/