Telegrafi

Chelsea shkatërron Aston Villan

Lampard hapi rezultatin pas 15 minutash lojë pas një asistimi të Florent Malouda, por pas gati aq minutash lojë John Carew barazoi për Aston Villan (29’). Një penalti e fituar nga Yuri Zhirkov u shndërrua në gol nga Lampard, duke çuar vendasit në pauzë me avantazh 2-1.

Pas 12 minutash në pjesë të dytë Malouda shënoi golin e tretë për blutë (57’) që iu dha edhe më shumë energji vendasve. Pesë minuta më vonë (62’), Lampard shënoi golin e tij të tretë, edhe kësaj here nga penaltia, gjashtë minuta para se Malouda të shënojë golin e tij të dytë dhe të pestin për Chelsan.

Edhe pse kishin avantazh 5-1, të zgjedhurit e trajnerit Carlo Ancelotti vazhduan të sulmojnë edhe më tej. Shtatë minuta para fundit të kohës së rregullt, Salomon Kalou çoi në gjashtë numrin e golave për blutë. Por, nuk mbaroi këtu. Frank Lampard shënoi golin e tij të katërt në minutat shtesë për të vulosur vuajtjen e të zgjedhurve të trajnerit Martin O’Neill.

Fitorja e ngre Chelsean në pozitën e parë të tabelës me 71 pikë, dy më shumë se Manchester United që më vonë udhëton te Bolton./Telegrafi/