Telegrafi

Chelsea rimerr kreun

Blutë kontrolluan ndeshjen në pjesën më të madhe dhe patëm raste më të mira shënimi se Djajtë e Kuq, që ishin në mungesë të golashënuesit kryesor, Wayne Rooney.

Chelsea kaloi në epërsi të merituar që në pjesë të parë me anë të Joe Cole. Një depërtim i mirë nga ana e Florent Malouda dhe një asistim i tij nga e majta u dërgua në rrjetën e portierin Edvin van der Sar nga Cole pas 20 minutash lojë.

Pavarësisht rasteve, rezultati nuk ndryshoi deri në 10 minutat e fundit të ndeshjes kur blutë e dyfishuan epërsinë me anë të një goli nga pozita jashtë loje, i shënuar nga Didier Drogba (79’).

Drogba duke festuar golin e 25-të në Ligën Premier këtë sezon (Foto: Reuters)

Por nuk vonoi shumë dhe vendasit ngushtuan epërsinë me anë të një goli të shënuar nga i riu italian Federico Macheda. Pas një harkimi të Nanit dhe dëbimi nga portieri Peter Cech, topi goditet në gjoksin e Macheda dhe duke prekur edhe dorën e lojtarit përfundon në rrjetën e mysafirëve (81’).

Momenti i shënimit të golit nga Federico Macheda (Foto: Reuters)

Dimitar Berbatov pati një rast të barazojë rezultatin në minutat shtesë, por bullgari e keqpërdori atë, siç bëri edhe në disa raste më herët.

Me tre pikët e sotme Chelsea pozicionohet në krye të tabelës me 74 pikë, dy më shumë se United që zbret në pozitën e dytë. Kandidati tjetër për titull, Arsenali, tash mbetet gjashtë pikë prapa kreut (68), por ka rastin ta ngushtojë në tre, kur më vonë pret në Emirates ekipin Wolves. /Telegrafi/