Chelsea raportohet se po përballet me një kërcënim serioz për të marrë një dënim më të rëndë me heqje të pikëve se sa Evertoni dhe Nottingham Forest si rezultat i shpenzimeve të tyre në afatin kalimtar. Që prej se Todd Boehly mori ‘frenat’ e klubit në maj të 2022, ‘Blutë e Londrës’ kanë shpenzuar më shumë se 1 miliarë euro në transferime.
Ekipet e Ligës Premier sipas rregullave janë të lejuara që të regjistrojnë humbje deri në 105 milionë euro përgjatë tri viteve, duke e lënë Chelsean në rrezik serioz që të marrë dënimin e njëjtë si Evertoni dhe Nottinghami, që u dënuan me heqje të katër dhe gjashtë pikëve respektivisht.
Eksperti i financave të futbollit Stefan Borson ka sqaruar në detaje se si qëndron situata e Chelseat në raport me këtë çështje.
“U supozua me Mason Mount, se ai ishte zyrtarizuar nga uebsajti i Manchester Unitedit më 1 korrik, që do të thotë se shitja e tij është vënë në këtë sezon. Kështu që, fitimi prej 55 milionë eurosh llogaritet në këtë sezon”, ka thënë Borson fillimisht.
“Tani rezulton se transferimi i Mount është kryer në sezonin 2022/2023 dhe kjo ka bërë që ata të thyejnë rregullat financiare”.
“Me të vërtetë, ata duhet të gjejnë blerës për Trevoh Chalobah, Armando Broja dhe Conor Gallagher. Janë marrëveshje që mund të kryhen, dhe të gjitha këto duhet të përfundohen para datës 30 qershor”, është shprehur ai.
Në fund Borson parashikoi se Chelsean e pret një dënim edhe më i rëndë se sa i dy ekipeve tjera angleze nëse nuk gjen një rrugëdalje nga kjo situatë.
“Po, mendoj se i pret një dënim më i rëndë. Mendoj se shkalla e humbjeve të tyre financiare aktualisht është shumë më e lartë se sa ajo e Everton dhe Nottingham Forest”, përfundoi Borson./Telegrafi/