Telegrafi

Chelsea i pandalshëm, mposht Cardiffin për fitoren e pestë radhazi – Hazard shënon het-trik

Foto: Chelsea FC/Twitter

Chelsea ka fituar thellë në shtëpi me rezultat 4-1 ndaj Cardiff Cityt në ndeshjen e vlefshme për javën e  pestë të Ligës Premier.

Skuadra e Maurizio Sarrit nuk ka të ndalur në këtë fillim sezoni pasi ka fituar edhe ndeshjen e pestë radhazi në kampionat.

Pjesa e parë e ndeshjes nisi keq për Blutë pasi e panë veten në disavatazh në minutën e 18-të pas golit të Sol Bamba, i cili shënoi për 0-1.

Megjithatë, Chelsea arriti të kthehet në lojë në këtë pjesë duke shënuar dy herë me anë të belgut Eden Hazard (37′, 44′) duke shkuar në pushim me epërsi 2-1.

Në pjesën e dytë, Blutë vazhduan dominimin dhe shënuan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht ishte Hazard, i cili shënoi në minutën e 80-të nga pika e bardhë për 3-1, ndërsa Willian (83′) shënoi për rezultatin përfundimtar 4-1.

Pas kësaj fitore, Chelsea e sheh veten lider me 15 pikë, ndërsa Cardiff renditet në pozitën e 16-të me dy pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blutë udhëtojnë te West Hami, ndërsa Cardiffi e pret Man Cityn. /Telegrafi/