Site icon Telegrafi

Chelsea nuk ka të ndalur, merr fitoren e pestë radhazi nën drejtimin e Tuchel

Chelsea ka vazhduar me formë të mirë nën urdhrat e trajnerit të ri Thomas Tuchel.

Tekniku gjerman ka udhëhequr në ndeshjen e gjashtë Chelsean (pesë në Ligën Premier) dhe ka marrë fitoren e pestë radhazi, katër në elitë dhe një në Kupën FA.

Londinezët ishin nikoqirë të Newcastle United, skuadër të cilën e mposhtën me rezultat të pastër 2-0.

Olivier Giroud u inkuadra në lojë në minutën e 20-të në vend të Tammy Abraham që u largua nga fusha i lënduar.

Sulmuesi francez 11 minuta më vonë gjeti golin e parë në këtë ndeshje duke e kaluar Chelsean në epërsi 1-0.

Vetëm tetë minuta më vonë, Chelsea shënoi edhe njëherë për ta dyfishuar epërsinë, kësaj radhe me Timo Werner.

Vlen të përmendet se goli ndaj Newcastle për Werner erdhi pas 100 ditësh pa shënuar në Ligën Premier.

Chelsea e mbylli pjesën e parë me epërsi të dyfishtë duke shkuar e qetë në pushim prej 15 minutash.

Në pjesën e dytë skuadra nga Tuchel administroi mjaftë mirë takimin duke mos rrezikuar në asnjë moment fitoren dhe në fund rezultati përfundimtar ishte 2-0 në të mirë të bluve.

Me këtë fitore Chelsea rikthehet në vendin e katërt në Ligën Premier me 42 pikë, sa ka edhe West Ham United një vend më poshtë. /Telegrafi/

Exit mobile version