Chelsea mund të thyejë përsëri rekordin e tyre të transferimeve në janar, kanë raportuar mediat angleze.
Gjatë afatit kalimtar veror “Blutë e Londrës” shpenzuan një shifër rekord prej 115 milionë eurosh për të nënshkruar me mesfushorin ekuadorian, Moises Caicedo.
Kjo marrëveshje u arrit disa muaj pasi Chelsea paraprakisht kishte shpenzuar rreth 106 milionë euro për të sjellur në “Stamford Bridge” Enzo Fernandez nga Benfica.
Ky rekord i shpenzimit të madh të parave pritet të vazhdojë përsëri pasi Chelsea është duke u lidhur me një transferim të mundshëm të sulmuesit të Napolit, Victor Osimhen.
Siç raportojnë mediat angleze, Chelseat i janë dhënë indikacione se Osimhen mund të jetë në dispozicion për blerje hiq më larg se në afatin kalimtar të janarit.
Nigeriani i cili më herët ishte lidhur me klube të ndryshme si Arsenal dhe Manchester United, ka shënaur 31 gola në të gjitha kompeticionet vitin e kaluar duke ndihmuar Napolin që të fitojë Scudetton e parë pas 33 viteve.
Ndërsa këtë edicion ai e ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë ndeshje deri më tani.
Sidoqoftë, raporti shton se Napoli e vlerëson kartonin e reprezentuesit nigerian rreth 120 milionë euro, shumë kjo e cila mund ta eklipsojë atë që Chelsea pagoi për shërbimet e Caicedos.
Osimhen mund të jetë i hapur për një kalim në Ligën Premier, pasi më herët në një intervistë ai kishte pranuar se mbanë një fanellë të Chelseat që kur ishte i vogël.
Madje ai kishte thënë se e ka si referencë ish-sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba, nga i cili mundohet të mësojë lëvizjet që kishte bërë në fushë me dhe pa top dhe t’i bëjë pjesë të lojës së tij.