Chelsea ka shënuar një fitore të madhe me rezultat 2-1 në udhëtim te Stoke City.
Blutë kaluan shpejt në epërsi në pjesën e parë, ku shënues ishte anësori brazilian, Willian, i cili shënoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 13.
Në vazhdim të pjesës së parë vendasit u hodhën në sulm me të gjitha forcat, duke arritur të shënojnë golin e barazimit me anë të Bruno Martins Indit në minutën e 34, por gjyqtarët e anulojnë për pozitë jashtë loje.
Megjithatë, Stoke arritën të gjejnë përsëri golin e barazimit, ku kësaj radhe shënues ishte Jonathan Walters, i cili u tregua i saktë në minutën e 38 nga penaltia e shkaktuar nga Gary Cahill dhe skuadrat shkua në pushim me rezultat 1-1.
Në pjesën e dytë, të dy skuadrat ishin të barabarta, por rasti më i mirë për golin e epërsisë i takoi Chelseat.
Luhej minuta e 66 kur mbrojtësi spanjoll, Marcos Alonso, goditi transversalen nga goditja e dënimit nga një distancë rreth 25 metra dhe shifrat mbeten të pandryshuara.
Deri në fund të ndeshjes, futbollistët e Antonio Contes provuan edhe disa herë të shënojnë golin e fitores dhe atë e arritën në minutën e 87, ku pas një tollovie në zonë më së miri u gjend, Cahill, i cili shënoi për epërsinë dhe rezultatin përfundimtar 2-1.
Pas kësaj fitore, Chelsea vazhdon kryesimin në Ligën Premier me 69 pikë apo 13 më shumë se ndjekësit, ndërsa Stoke City renditet e nënta me 36 pikë. /Telegrafi/