Site icon Telegrafi

Chelsea kthehet tek fitoret – mposht Southamptonin dhe ‘rrëmben’ vendin e katërt

Chelsea ka marrë një fitore të thellë me rezultat 4-0 në shtëpi ndaj Southamptonit në kuadër të javës së 27-të në elitën e futbollit anglez.

Vendasit morën epërsinë në minutën e 24-të përmes Christopher Nkunku i cili realizoi me kokë për rezultatin 1-0.

Southamptoni pati një mundësi të artë për të barazuar shifrat në minutën e 32-të, por gjuajtjen me kokë të Paul Onuachu e ndali në mënyrë fantastike Filip Jorgensen.

Pak minuta pa përfunduar pjesa e parë, Chelsea ia doli të realizojë edhe dy gola të tjerë për t’i dhënë fund çështjes së fituesit.

Në minutën e 36-të pas një kundërsulmi Nkunku kaloi në rolin e asistuesit duke shërbyer Pedro Neton brenda zonës i cili realizoi për 2-0.

Për të trefishuar epërsinë e ‘Bluve të Londrës’ u përkujdes Levi Colwill i cili në minutën e 44-të realizoi për 3-0 me kokë pas një harkimi nga rivënia këndore.

Në pjesën e dytë Chelsea vazhdoi sulmet në drejtim të portës së Southampton dhe ia doli të shënojë edhe një herë tjetër përmes Marc Cucurellas në minutën e 78-të për 4-0.

Me këtë fitore Chelsea tashmë ka marrë pozitën e katërt në tabelë me 46 pikë duke ia zënë vendin Manchester Cityt që tashmë ka zbritur në vendin e pestë me 44 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version