Telegrafi

Chelsea kampion i Anglisë

Nicolas Anelka shënoi për epërsinë e hershme të vendasve (6’), ndërsa Frank Lampard dyfishoi nga pika e bardhë (32’), për të vendosur rezultatin përfundimtar të pjesës së parë prej 2-0.

Në pjesën e dytë, Chelsea ishte skuadër dominuese, sidomos për faktin që Wigani luante me një lojtar më pak (pas përjashtimit të Gary Caldwell në minutën e 31-të).

Salomon Kalou shënoi golin e tretë për ekipin nga Stamford Bridge (54’), ndërsa me një vole, Anelka realizoi golin e dytë personal në ndeshje dhe të katërtin për Blutë (57’).

Në këtë ndeshje nuk munguan as golat e Didier Drogbas, i cili shënoi het-trik (63’, 68’ dhe 80’), dhe me 30 gola shpallet golashënuesi më i mirë i Ligës Premier, me tre gola më shumë se Wayne Rooney.

Në fund të ndeshjes (90’), i erdhi radha të shënonte edhe Ashley Cole, i cili vendosi rezultatin përfundimtar të takimit prej 8-0 në favor të ekipit vendas.

Pas kësaj fitoreje, Chelsea shpallet kampion i Anglisë për sezonin 2009/2010 me 86 pikë, një më shumë se kampioni nga sezoni i kaluar Manchester United. Veç tjerash, Blutë kanë thyer rekordin e golave të shënuar brenda një sezoni me 103 gola, ndërsa Drogba është fitues i Këpucës së Artë. /Telegrafi/