Chelsea ka bërë një rikthim fantastik përballë Southamptonit duke u kthyer nga disavantazhi prej dy golash, për ta fituar me rezultat 3-2 ndeshjen e zhvilluar në St Mary’s Stadium.
Nikoqirët krijuan epërsi të parët me golin e Dusan Tadic (21′) dhe me epërsi minimale shkuan në pushim.
Pas një ore lojë, ata e dyfishuan avantazhin falë një goli nga Jan Bednarek (60′), i cili u asistua nga James Ward-Prowse.
Blutë nuk u dorëzuan dhe e ngushtuan rezultatin përmes Olivier Giroud (70′), i cili shënoi me kokë pas harkimit nga Marcos Alonso.
Nga një aksion i Willian, Eden Hazard e nguliti topin në rrjetë duke e barazuar rezultatin (75′).
Dhe gjithçka u përmbys nga Giroud (79′), i cili shënoi golin e epërsisë dhe ky rezultoi të ishte goli i fitores për skuadrën e Antonio Contes.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea mbetet në vend të pestë, por e ngushton në shtatë diferencën e pikëve me Tottenham Hotspurt (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar) dhe Liverpoolin.
Southamptoni mbetet në zonën e rrezikut (i 18-ti në tabelë), me tri pikë prapa vendit të 17-të që e mban Crystal Palace.
Në xhiron e ardhshme, Chelsea luan në shtëpi kundër Huddersfield Town, ndërsa Southamptoni udhëton te Leicester City. /Telegrafi/