Telegrafi

Charles Oliveira: Khabib është betuar në varrin e babait të tij se është pensionuar përgjithmonë

(Foto: Instagram/khabib_nurmagomedov)

Khabib Nurmagomedov është betuar në varrin e babait të tij se do të qëndrojë në pension – ka thënë ylli i UFC-së, Charles Oliveira.

Braziliani, i cili ndeshet me Tony Fergusonin të shtunën mbrëma në kuadër të ‘UFC 256’, thotë se ka dëgjuar që kampioni i pamposhtur nuk e ka në plan të kthehet.

“Dikush më ka thënë se është betuar në varrin e babait të tij se nuk do të ndeshet më”, ka deklaruar Oliveira për MMANews.

“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk ka shanse që ai të kthehet. Nëse kthehet, do ta shkelte fjalën e tij dhe babanë e tij. Nëse kjo është e vërtetë, ai nuk do të kthehet më. Gjithçka ka marrë fund”, ka shtuar 31-vjeçari.

Lexo po ashtu Khabib flet për rikthimin e mundshëm dhe meçin ndaj McGregor: Nëse më ofrojnë 100 milionë, do ta mendoj

Nurmagomedov u pensionua pas triumfit ndaj Justin Gaethje, pasi – sipas tij – i kishte premtuar se ky do të ishte meçi i fundit pas vdekjes së babait, Abdulmanap, i cili nuk ishte më aty për ta mbështetur emocionalisht dhe taktikisht.

Babai i Khabib ndërroi jetë më herët gjatë këtij viti si pasojë e komplikimeve nga infeksioni me coronavirus.

Megjithatë, presidenti i UFC-së, Dana White dhe trajneri Javier Mendez, kanë hedhur dyshime se ai mund të rikthehet në artet e përziera marciale. /Telegrafi/

(Foto: Instagram/khabib_nurmagomedov)