Charles Leclerc ka përjetuar një ditë historike në Formula 1. Piloti i ri i Ferrarit siguroi ‘pole position’ e parë në karrierë në pistën e Bahrejnit.
21-vjeçari e përshkoi pistën me një kohë rekord prej 1 minutë, 27 sekonda e 866 të mijtat, duke bërë që në Maranello të shpërthejë festa dhe t’i gëzohen një piloti vërtet premtues.
Te Ferrari u paraqit mjaft mirë edhe Sebastian Vettel, i cili u rendit në vendin e dytë, me rreth tre të dhjetat më shumë se Leclerc, duke bërë që kokëkuqja italiane të konfirmojë formën e shkëlqyer të shfaqur edhe gjatë provave të lira.
Menjëherë pas bolideve Ferrari, në vendin e tretë u pozicionua Lewis Hamilton me Mercedes, i ndjekur nga Valtteri Bottas në vendin e katërt, duke lënë pas Max Verstappen – transmeton Top Channel.
Ata që zhgënjyen në këto prova ishin Daniel Ricciardo e Pierre Gasly, që u eliminuan që në mini-sesionin e dytë, ndërkohë që vazhdon të ketë probleme Williams, e renditur në vendet e fundit me George Russell e Robert Kubica.