Telegrafi

Challandes zbulon arsyen pse nuk u ftua Lirim Kastrati: Ishte në listë, por kërkoi minuta

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka zbuluar ditë më parë listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Njëri nga lojtarët më në formë të Kosovës, është Lirim Kastrati që po shënon rregullisht në Kroaci.

Por sulmuesi nga Hogoshti nuk është përfshirë në listën e trajnerit Challands.

Tekniku zviceran ka folur për këtë duke treguar se fillimisht Kastrati ishte ftuar, por më vonë është hequr nga lista.

Bernard Challandes (Foto: FFK-Kosova)

“Situata është kjo. Dhjetë ditë më parë e kam ftuar Lirim Kastratin që të jetë pjesë e grumbullimit, madje edhe ka qenë në listë. Por, unë i kam thënë atij që duhet të grumbullohet të hënën (2 shtator) së bashku me pjesën tjetër të ekipit dhe të shohim gjatë javës se si po ecën gjërat, pasi që nuk e kishim të definuar situatën me Milot Rashicën dhe Benjamin Kolollin. Ishte një situatë shumë e qartë për mua dhe një zgjedhje shumë e qartë edhe për të”, deklaroi fillimisht Chalalndes.

“Kam pranuar një telefonatë nga agjenti i tij, i cili më ka thënë se nuk janë të kënaqur me këtë propozim. Ai më ka thënë se Lirimi nuk do të vjen fare nëse nuk i garanton minutat për ekipin e parë”, shtoi Challandes.

Zvicerani ka bërë me dije se asnjë lojtarit nuk i ka garantuar minuta, as Samir Ujkanit apo Valon Berishës.

“Asnjëherë dhe për asnjë lojtarë nuk garantoj se do të luaj sigurt. Samir Ujkani, Valon Berisha apo kushdo që të jetë, nuk do të marrë asnjëherë garancën për të luajtur”, deklaroi Challandes.

“Lirim Kastrati e zgjodhi që të luaj për Kosovën U21 dhe shpresoj se ti bëj gjërat mirë. Unë e respektoj zgjedhjen e tij, por secili do të marr përgjegjësinë për veprimet e veta. Për të ardhmen tashmë do të vendos unë”, përfundoi ai. /Telegrafi/