Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes pritet të vijë në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, zvicerani ka folur për Përfaqëuesen e Kosovës.
“Tani jam duke shkuar në Kosovë dhe do t’i ndjekë nga afër disa ndeshje”, ka thënë Challandes.
“Kemi ekipin me moshën mesatare shumë të re, 22-23 vjeç që do të thotë se këta futbollistë do të arrijnë diçka të madhe në të ardhmen”.
“Gjithashtu kemi U21-shat që ndalën Gjermaninë në barazim pa gola dhe U19 që po fitojnë disa ndeshje”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës.
Por trajneri zviceran nuk i ka zbuluar ndeshjet që do t’i shohë nga afër në Superligën e Kosovës.
Tekniku zviceran foli edhe për fillimin e tij tek Përfaqësuesja e Kosovës ku mori dy fitore ndaj Madagaskarit 1-0 dhe ndaj Burkina Fasos 2-0.
“Sigurisht se ishte një fillim ideal për mua dhe për ekipin pas kampit që organizuam në Francë”.
“Ne kemi shumë futbollist të mirë që luajnë nëpër gjithë Evropën por tani duhet të luajmë si grup”, u shpreh ndër tjera Challandes.
Ndeshja e ardhshme e Kosovës do të jetë më 28 maj në Zvicër përballë Kombëtares së Shqipërisë. /Telegrafi/