Telegrafi

Challandes në konferencë para ndeshjes me Maltën: Jemi afër vendit të parë, duhet përqendrim dhe maksimumi

Trajneri Bernard Challandes, ka dalë në konferencë për shtyp, ku e ka vlerësuar edicionin e Kosovës deri në këto momente dhe bëri thirrje për kujdes .

Ai kërkon që djelmoshat ta tregojnë vetën për tu kurorëzuar me sukses dhe për të mbyllur edicionin e parë të Ligës së Kombeve si lider i grupit.

Kosova do të përballet me Maltën nesër në mbrëmje, ku tri pikë janë objektivi në Valleta.

“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi shanse reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin”.

Pamje nga konferenca

“E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe të shpresojmë të marrim tri pikët”, deklaroi Challandes.

Trajneri zviceran i Kosovës u pyet edhe për situatën e futbollistëve që janë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, por iu shmangë një komenti për Ardian Ismailin.

“Ka shumë lojtarë që mund të luajnë për Kosovën, por që kanë njëkohësisht edhe opsione të tjera”.

“Ne duam që kur ata të vendosin të luajnë për Kosovën, të mos kenë asnjë dyshim për zgjedhjen e tyre”, ka thënë Challandes. /Telegrafi/