Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur sot (e diel) gjatë ditës konferencën e parë për media para dy ndeshjeve të rëndësishme të shtatorit kundër Çekisë dhe Anglisë.
Kosova do të luajë dy ndeshje kualifikuese për Euro 2020 gjatë këtij muaji, ku me 7 shtator në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ ndaj Çekisë dhe me 10 shtator në St’Marys me Tre Luanët.
Challandes ka pranuar se ekipi i Dardanëve përballet me mungesa të rëndësishme për këto dy ndeshje dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë pa Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën e Benjamin Kolollin, por se ka besim tek lojtarët që i ka në dispozicion.
Trajneri jonë i ka cilësuar kundërshtarë shumë të fortë Çekinë dhe Anglinë, ndërsa thotë se më shumë po mendon për këta të parët.
“Në ditët në vijim i kemi dy ndeshje shumë interesante dhe të rëndësishme kundër kundërshtarëve të fortë. Fatkeqësisht i kemi disa lojtarë të rëndësishëm të lënduar”, ka thënë fillimisht Challandes në konferencë.
“Ideja ime është që të reagojmë si ekip dhe t’i japim përgjigje këtij problemi si kolektivë. Nëse reagojmë kështu atëherë do të jemi në gjendje për ta përballuar këtë gjendje”.
“Duhet të luftojmë, duhet të jemi shumë të fortë si ekip. Është detyrë e imja si trajner që të arrij të gjej më të mirën nga futbollistët që do të paraqiten në këto dy ndeshje”.
“Ne duhet të jemi të qetë, por duhet të luftojmë jashtëzakonisht shumë dhe t’i nxisë lojtarët të japin më të mirën kundër njërit prej ekipeve më të forta në botë siç është Anglia, por edhe kundër një ekipi shumë të fortë siç është Çekia, ekip për të cilin aktualisht jam duke menduar shumë më tepër”.
“I kam studiuar të dy kundërshtarët për kohë të gjatë, veçanërisht Çekinë, e cila është kundërshtari ynë i parë dhe përqendrimi tani për tani është vetëm tek ky kundërshtar”.
“Çekia është një ekip shumë i fortë, i cili ka bërë paraqitje shumë të mira në dy ndeshjet e fundit kundër Bullgarisë dhe Malit të Zi, duke marrë 6 pikë dhe ku ka treguar që është ekip që bën presing shumë të lartë dhe ka tranzicion shumë të mirë nga faza mbrojtëse në atë sulmuese”.
“Sfidë tjetër për ne është edhe shtatlartësia e tyre, ngase janë 5-6 lojtarë që janë mbi 1.90 cm dhe kjo do të na shkaktojë vështirësi, duke pasur parasysh se ne jemi ekip dukshëm më shtatshkurtër”.
“Gjithashtu edhe pjesa fizike e lojës që bëjnë çekët mund të jetë sfidë për ne. Sidoqoftë, ne duhet të gjejmë zgjidhje për t’iu kundërvënë sa më mirë një kundërshtari të tillë”, përfundoi trajneri i Kosovës. /Telegrafi/