Përfaqësuesja e Kosovës ka mbërritur në Austri një ditë para ndeshjes së dytë miqësore të muajit qershor.
Dardanët ditën e nesërme në Klagenfurt të Austrisë do të përballen me Përfaqësuesen e Maltës.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ka thënë se edhe kjo ndeshje do të jetë një test i mirë për t’i parë disa nga futbollistët e rinj.
“Është një ndeshje e mirë për disa lojtar të ri por kjo nuk nënkupton se do ta marrim si të lehtë. Lojtarët që janë në fushë duhet të japin maksimumin dhe të tregojnë seriozitet shumë të madh në fushë”, tha fillimisht Challandes.
Tutje tekniku zviceran i Kosovës deklaroi se kërkon edhe në këtë takim vetëm fitoren nga djelmoshat e tij.
“Pra edhe pse është vetëm ndeshje miqësore ne kërkojmë maksimumin dhe sigurisht futemi në fushë për fitore”, ka thënë ndër të tjera Challandes.
Kosova fitoi ndeshjen e parë miqësore ndaj San Marinos, me rezultat 4-1 në “Fadil Vokrri”.
Kujtojmë se për këtë takim tekniku Challandes ka lënë të lirë kapitenin Samir Ujkani dhe sulmuesin Vedat Muriqi, derisa Lorik Emini nuk udhëtoi fare shkaku i lëndimit. /Telegrafi/