Largimi i Cristiano Ronaldos nga loja në pjesën e parë kundër Francës, nuk e ka ndalur atë që të jetë i rëndësishëm për kombëtaren e tij.
Mbrojtësi portugez, Cedric Soares, ka zbuluar prapaskenat në zhveshtoren e Portugalisë pas përfundimit të pjesës së parë, duke thënë se Cristiano Ronaldo mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm që i mbajti lojtarët shumë të motivuar në vazhdim të ndeshjes, raporton ESPN.
“Ishte moment shumë i vështirë. Më kujtohet se unë dhe ekipi ishim të shokuar. Në pjesën e parë Cristiano pati fjalë fantastike për ne. Ai na dha shumë besim dhe na tha ‘dëgjoni njerëz, jam shumë i sigurt se do të fitojmë, prandaj qëndroni të bashkuar dhe luftoni për të’. Ishte vërtetë e pabesueshme. Mendoj se gjithë ekipi pati një sjellje fantastike, dhe sonte e dëshmuam se kur luftoni si një jeni shumë, shumë, më të fortë”, ka thënë Soares.
I pyetur nëse Ronaldo ishte pesimist pas largimit nga loja, Soares ka thënë se sjellja e tij ishte e jashtëzakonshme.
“Jo, ai ishte i shkëlqyeshëm, qëndrimi i tij ishte i pabesueshëm. Ai gjithmonë ndihmoi shumë bashkëlojtarët, gjithmonë kishte shumë fjalë motivuese dhe sigurisht se gjithë ekipi reagoi ndaj kësaj, prandaj ishte shumë mirë”, është shprehur Soares.
Portugalia arriti të shpallet kampion i Evropës për herë të parë në histori pasi mposhti në finale Francën me golin e shënuar nga Eder në minutën e 109.