Site icon Telegrafi

Çfarë do të thotë kjo shkronjë dhe kush është saktësisht “Q” – si u shpërnda globalisht teoria e komplotit “QAnon”?

Deri së fundmi, teoria e komplotit e njohur si “QAnon” ishte kryesisht një fenomen amerikan, e cila mbështet idenë e paprovuar se Presidenti amerikan Donald Trump po lufton në fshehtësi “kundër një grupi të fuqishëm” pedofilësh që kontrollojnë botën, i ashtuquajturi “deep state” (shtet brenda shtetit).

Ky term i referohet një teorie konspiracioni sipas së cilës brenda sistemit politik amerikan ka një komplot nga një qeveri e fshehur brenda qeverisë së zgjedhur në mënyrë të ligjshme.

Teoria e ekstremit të djathtë ka siguruar adhurues në të gjithë Shtetet e Bashkuara në një kohë kur fushata në kuadër të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre për Kongresin po nxehen.

Presidenti Trump ka ripostuar në Twitter mesazhe nga llogari që reklamojnë “QAnon” ndërsa më shumë se 12 republikanë që kandidojnë për një vend në Kongresin amerikan kanë përqafuar disa nga parimet e tij.

E gjithë kjo ka ngjallur shqetësime në lidhje me ekstremistët e brendshëm të orientuar drejt teorive të komplotit, që FBI-ja i ka identifikuar si një kërcënim të mundshëm terrorist.

Por “QAnon” nuk është më e përqendruar ekskluzivisht tek politika e brendshme amerikane.

Nxitur nga ankthi në të gjithë botën mbi pandeminë e coronavirusit, teoria e komplotit e pabazuar në fakte, po përhapet globalisht duke fituar adhurues në të paktën 71 vende, sipas një eksperti që po studion këtë lëvizje, Marc-André Argentino.

“Ka pasur një rritje masive”, thotë Marc-Andre Argentino, kandidat për doktoraturë në universitetin Konkordia të Kanadasë dhe një bashkëpunëtor i Rrjetit Global mbi Ekstremizmin dhe Teknologjinë.

Teoritë e konspiracionit lulëzojnë në kohë krize, thonë ekspertët.

Në kushtet kur njerëzit kudo në botë janë të përfshirë nga ankthi dhe po përpiqen të kuptojnë pandeminë dhe kur udhëheqësit po marrin masa kundër saj, “QAnon” ka gjetur një publik entuziast falë premtimit për shpëtim nga tirania në fund të një beteje të pagëzuar si “Stuhia”.

Jashtë SHBA-së, Gjermania, megjithëse është kursyer nga pasojat më të rënda të pandemisë, është bërë shtëpia e numrit më të madh të ndjekësve të “QAnon” jashtë vendit, sipas zotit Argentino.

Një kanal gjerman i “QAnon-it” në aplikacionin e mesazheve të koduar Telegram krenohet se ka 120 mijë anëtarë.

Muajin e kaluar, rritja më e madhe tek ndjekësit ndërkombëtarë të “QAnon” erdhi nga Brazili, një pikë e nxehtë e pandemisë, ku virusi ka vrarë më shumë se 100 mijë njerëz.

Çfarë do të thotë shkronja “Q”?

“Q” është një figurë në internet, që pretendon të jetë një person i brendshëm i infiltruar i qeverisë, me një certifikatë sigurie të nivelit Q dhe që ka dijeni rreth veprimtarisë së brendshme të “deep state” apo “shteti brenda shtetit”.

Kjo figurë anonime (praparashtesa anon i referohet pikërisht fjalës “anonim”) postoi për herë të parë në internet në tetor 2017, duke shkruar se: ish-sekretarja e Shtetit dhe kundërshtarja demokrate e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, Hillary Clinton, së shpejti do të arrestohej dhe se pas kësaj do të kishte trazira.

Parashikimi, u dëshmua të ishte i rremë, ashtu si edhe shumë të tjerë që pasuan, përfshirë parashikimet për padi masive ndaj demokratëve.

Por kjo nuk e ndaloi “Q” të vazhdojë të postojë lidhur me atë që e quan “luftë e fshehtë” e zotit Trump kundër një grupi të fuqishëm pedofilësh, duke postuar mesazhe të fshehta në internet që janë përforcuar nga një ekosistem në rritje të atyre që besojnë tek kjo lëvizje. Kështu lindi një lëvizje e re e teorive të komplotit.

Ajo që e bëri “Qanon” të zë vend ishte ngjarja që pasoi të ashtuquajturën “Pizzagate”, një teori konspirative e vitit 2016 sipas së cilës demokratët kishin krijuar një rrjet të trafikimit të fëmijëve për qëllime seksuale në bodrumin e një dyqani picash në Uashington. Por një gjë e tillë nuk rezultoi të ishte e vërtetë.

Ndërsa postimet e fundit të “Q” përqendrohen tek përpjekjet e të ashtuquajturit “shteti brenda shtetit” për të penguar rizgjedhjen e zotit Trump, abuzimi i fëmijëve dhe trafikimi për qëllime seksuale mbeten një konstante në sistemin e tij të besimit.

Së fundmi më 31 korrik, “Q” pohonte se pandemia e coronavirusit ishte projektuar pjesërisht si një “strehë” për atë që pritet të jetë kandidati presidencial i demokratëve, Joe Biden, me qëllimin për ta shmangur atë nga daljet publike e pjesëmarrja në debate dhe për të “eliminuar” apo vonuar mitingjet e zotit Trump.

“Në thelb të interpretimit të kësaj ideologjie, QAnon beson se Presidenti Trump është personi që do të shpëtojë botën nga ky rrjet aktorësh malinj dhe se ai do të zbulojë “shtetin brenda shtetit” që ekziston në SHBA dhe jashtë vendit”, thotë Kevin Grisham, drejtor i asociuar i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në universitetin shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino.

Ata që reklamojnë “Qanon” thonë se “shteti brenda shtetit” ekziston, duke hedhur poshtë pohimet se janë “adhurues” të zotit Trump apo “Q-së”.

“Qanon është një grup mbarëbotëror patriotësh, jo të dhunshëm, që dyshojnë mbi ngjarje të pranuara gjerësisht, që janë të përkushtuar ndaj Zotit, shpëtimit të fëmijëve tanë nga trafikimi dhe që duan të largojnë djajtë e shtetit brenda shtetit”, shkruante në një postim në twitter një nga mbështetësit e njohur të “Qanon”, Joe Stroh, i cili njihet në mendian sociale si “Obiwan Qenobi”.

Kush është saktësisht “Q”?

Pavarësisht spekulimeve të shfrenuara, askush nuk e ka zbuluar personin e mistershëm që qëndron pas “Q”.

Jashtë rrethit të “Qanon”, pak veta mendojnë se ai është një person i fshehtë brenda institucioneve amerikane.

Shumë ekspertë besojnë se ndër vite nën pseudonim “Q” mund të ketë qenë më shumë se një person.

Cilët janë adhuruesit e “Qanon”?

Ndërkohë “Q-ja” është hedhur nga një faqe interneti në tjetrën, ndjekësit e tij kanë lulëzuar në platformat kryesore si Facebook-u, Twitter-i, YouTube dhe Telegrami.

Çdo ditë rreth 300,000 deri në 400,000 njerëz postojnë në lidhje me “Qanon-in” në Facebook, Twitter dhe Telegram, thotë zoti Argentino. Ai shton se do të ishte gabim që ata të shpërfilleshin si “persona me probleme, me kapele prej letre alumini, që jetojnë në bodrumin e prindërve të tyre”.

Biznesmenia nga Xhorxhia Marjorie Taylor Greene, e cila mbështet teoritë e komplotit të “QAnon-it”, fitoi të martën në zgjedhjet paraprake mes republikanëve për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. Ajo pritet të fitojë edhe në zgjedhjet e nëntorit në distriktin e saj të dominuar nga republikanët.

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn, u shfaq në një video të 4 korrikut duke recituar një parullë popullore “Qanon”: “Të gjithë për një, e një për të gjithë”.

Ndërsa zoti Trump nuk e ka mbështetur në mënyrë të qartë lëvizjen, ai gëzon mbështetje të gjerë nga ndjekësit e “QAnon-it” që kanë marrë pjesë në mitingjet e tij të veshur me bluza të lëvizjes. Një zëdhënëse e fushatës së zotit Trump nuk u përgjigj pyetjes nëse presidenti e mirëpret mbështetjen e tyre.

Si ka ndikuar pandemia tek “Qanon”?

Që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit, ndjekësit në internet të “Qanon-it” janë rritur me shpejtësi.

Numri i anëtarëve të grupit në Facebook është rritur me 800 për qind ose 1.7 milion ndërsa në llogaritë në Twitter që postojnë nën hashtagun e lidhur me “QAnon-in” është rritur me 85 për qind ose 400 mijë ndjekës, sipas hulumtimit të zotit Argentino.

Javët e fundit, Facebook-u dhe Twitter-i kanë hequr disa llogari të “QAnon-in” për shkak të moszbatimit të politikave dhe standardeve të tyre. Lidhur me këtë çështje priten veprime të mëtejshme.

Por ekspertët dyshojnë se këto masa disiplinore do të arrijnë që ta dëbojnë lëvizjen.

Së pari teoria e komplotit është një e drejtë që garantohet me ligj si e drejtë e fjalës dhe kompanitë e mediave sociale nuk mund thjesht ta etiketojnë “Qanon-in” nën kategorinë e tyre të “grupeve të rrezikshëm”.

Së dyti, ndalimi i ndjekësve të “QAnon-it” në Facebook dhe Twitter vetëm sa do ta forconte besimin e tyre se ata janë të përfshirë në një luftë informacioni kundër elitave mediatike e të tjerëve që i takojnë “shtetit brenda shtetit” thonë ekspertët.

“Sulmi ndaj tyre i shërben mbështetjes së bindjeve të tyre konspirative”, thotë zoti Grisham.

Sa popullor është “Qanon-i” jashtë vendit?

Pjesa më e madhe e rritjes që ka pësuar së fundmi lëvizja “QAnon” vjen nga jashtë vendit.

“Po shohim grupe që shfaqen kudo”, thotë zoti Grisham. Ndër vendet që kanë parë rritjen më të madhe të veprimtarisë së “Qano-it” janë Gjermania, Britania, Australia dhe Kanadaja, ndjekur nga Franca, Italia dhe Zelanda e Re.

“Fakti që po shohim përhapje në të gjithë botën tregon rëndësinë e saj për një audiencë globale”, thotë zoti Grisham.

Ndërsa në disa vende mbështetësit e “QAnon-it” shohin zotin Trump si shpëtues të tyre, të tjerë ithtarë besojnë se udhëheqësit lokalë do të shkatërrojnë të ashtuquajturin “shtet brenda shtetit” në vendet e tyre, thotë zoti Argentino. /VOA/

Exit mobile version