Telegrafi

Çfarë do të sjellë kongresi i OBRM-PDUKM-së?

Për sot dhe nesër është caktuar të mbahet kongresi i OBRM-PDUKM-së, partia e cila udhëhoqi me Maqedoninë në dekadën e fundit, me kryeministër Nikolla Gruevski.

Ndonëse në fillim u konsiderua si qeveri e suksesshme, sërish skandalet bënë që qeverisja e Gruevskit të merr fund në një mënyrë mjaft dramatike.

Ndër njollat e kësaj qeverisje të Gruevskit janë aksionet policore në Brodec, pastaj vrasja në Smilkovë, rasti i Kumanovës, si edhe afera e përgjimeve. Gjithçka kulmoi me dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të këtij viti.

Pas shumë trysnive, Gruevski dha dorëheqje dhe u thirr kongresi, megjithatë hije dyshimi kanë përfshirë mbarëvajtjen e këtij kongresi, sidomos me reagimet rreth mënyrës së shpalljes së kandidaturave.

Disa funksionarë të lartë të OBRM-PDUKM-së, si Nikolla Poposki, Antonio Milloshoski, Ilija Dimovski, etj, kanë reaguar dhe kanë kërkuar që kongresi të shtyhet, por një gjë e tillë nuk u pranua, kështu në kongres do të ketë vetëm një kandidat për kryetar të partisë, Hristijan Mickovski.

Filip Petrovski, ish-drejtor i Arkivës, gjithashtu u ankua se Gruevski ka favorizuar kandidaturën e Mickovskit, edhe pse vetë Gruevski deklaroi se ka qëndruar neutral dhe se nuk ka mbështetur asnjë kandidaturë.

Në pah doli edhe një grup reformues brenda kësaj partie, por si duket forca e tyre është shumë e dobët për t’u konsideruar seriozisht. Ata paralajmëruan se do të bëjnë publik qëndrimin e tyre përball kongresit, mirëpo heshtja i kaploi edhe ata.

Gjithsesi, kongresi fillon sot në Vallandovë, dhe mbaron nesër, e skena politike është në pritje të zhvillimeve në OBRM-PDUKM./Telegrafi/