Nesër, kur të zgjohemi (nuk e di kur do të jetë kjo nesër) dhe të gjithë burimet e informacionit, agjencitë e lajmeve, mediat vizive e të shkruara, rrjete sociale, do të shpërndajnë lajmin “Koronavirusi u zhduk ”(pasi çoi në vdekje mijëra vetë në gjithë globin), çfarë do të ndodhë në politikë, në ekonomi, në jetën shoqërore pas këtij lajmi. Do të jetë njësoj? Çfarë dhe si do të ndryshojë? Këto janë çështje që kanë filluar të shqetësojnë lidershipet politike, shkollat e mendimit politik-social e ekonomik.
Pandemia e virusit COVID-19 vazhdon të godasë jetë njerëzish në gjithë planetin. Pasojat janë shumëdimensionale. Edhe pse dilemat dhe paqartësitë për këtë krizë janë të mëdha, jo vetëm nga pikëpamja kohore e shtrirjes së saj apo e pasojave që ka sjellë dhe do të sjellë, që në këtë fazë. Debatet dhe mendimet, veç përballjes dhe mposhtjes së pandemisë së koronavirusit, por edhe për atë se si do të jetë nesër, kanë filluar të shfaqen. Prandaj, nesër nuk do të jetë si më pare. Gjithçka do të jetë ndryshe.
Shkollat politike po evoluojnë mendimin e tyre. Ato debatojnë dhe do t’i japin përgjigje pyetjes se cila është alternativa e kapitalizmit të sotëm? A do të ketë më shumë rol kapitalizmi shtetëror? A do t’i qëndrojnë mendimit se vetëm tregu mund të zgjidhë gjithçka apo ndërhyrja shtetërore po bëhet domosdoshmëri? Si do të vazhdojë lidershipi botëror dhe pse shtetet më të zhvilluara u gjendën të papërgatitura përballe pandemisë COVID-19? ShBA vazhdon në krye të këtij misioni global edhe Gjermania si gjithnjë po dëshmon se vazhdon të jetë “lokomotiva me fuqi të plotë” në Evropë. Ndërkohë, kjo krizë “ka hapur dyert” për më shumë prani të Kinës dhe Rusisë.
Në këto kushte dhe fakti që në dy krizat e fundit ajo e vitit 2008 dhe kjo e sotmja, ndërhyrjet shtetërore kanë qenë të domosdoshme dhe shumë të fuqishme, pranojnë “jo vetëm në heshtje”, por edhe në debat teorik dhe me aksion praktik një raport të ri të shtetit dhe tregut. Por, unë nuk do të merrem shumë me shkollat politike, por do trajtoj shkurt atë që lidhet me ekonominë dhe çfarë pritet të ndryshojë. Sepse, me masat që po merren dhe pritet të merren.
“Një Plan i Ri Marshall” duket në horizont dhe ai duhet me domosdoshmëri. Si gjithnjë të parët, ShBA, pas dakortimit të republikanëve dhe demokratëve, miratoi paketën financiare gjigande, prej dy bilionë dollarë për t’i bërë ballë pandemisë pasojave në ekonominë amerikane prej saj. Një “Plan i Ri Marshall”, si ky për ShBA-në, duhet në bashkëpunim me shtetet e fuqishme të botës për gjithë globin. Tregjet financiare reaguan pozitivisht menjëherë pas kësaj pakete injektimi të ekonomisë amerikane dhe paketave të shteteve të tjera (BE, Gjermanisë, Francës, Britanisë etj.), duke u kthyer disi shpresën.
Njëherësh, pavarësisht se parashikimet ekonomike në kushtet e tregut të lirë janë të paparashikueshme, shumë specialistë të politikave aktive ekonomike paralajmërojnë se po vjen një epokë ku duhet të ndajmë në mënyrë të barabartë varfërinë. Duhet të kuptohet që nuk është çështje bamirësie apo ndjeshmërie sociale për njerëzit që humbasin punën e tyre dhe si do të jetojnë. Sa më gjatë të lejojmë varfërinë dhe recesionin tani, aq më e vështirë dhe problematik do të jetë rikuperimi më pas. Kjo pandemi do të jetë mjeti më i rëndësishëm i ristrukturimit ekonomik dhe i shpërndarjes së pasurisë në të gjithë botën. Ndërkaq, cilat do të jenë diferencat dhe interferencat midis politikave të majta dhe të djathta, neoliberale dhe konservatore?
“Nesër kur koronavirusi të zhduket”, do të kuptojmë më mirë se kjo pandemi do të ndryshojë shumë gjera në jetën tonë. Në gjithë Planetin. Edhe pse dua të jem optimist, gjëja e parë që duhet të dimë është se (veç dhimbjes që po na shkakton fakti nga prekja apo marrja e jetëve nga koronavirusi) do të goditemi të gjithë ekonomikisht, ekonomia në tërësi, sistemi bankar, bizneset dhe buxhetet familjare, të paktën përkohësisht. Personalitete të institucioneve ndërkombëtare mendojnë se në fund të vitit, ekonomia globale mund të rezultojë në recension dhe ekonomia e Shqipërisë do të shënojë një rritje minimale (me kushtet aktuale rënia mendohet dy për qind). Plani financiar i Qeverisë dhe masat e Bankës Qendrore do të jenë edhe një lehtësim sasior monetar, një frymëmarrje e buxheteve familjare, por gjithsesi konsumi do jetë i frenuar. Vetëm një “shkop magjik” që mund ta përfundojë krizën në fund të muajit maj, mund të ndihmojë në fillimin e frenimit të rënies ekonomike dhe të heq “frikën” e turizmit të munguar për këtë vit. Këtu nuk flitet për ekonominë e vendit tonë, por atë të ShBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës, gjithë vendet e G7 e G20.
Në periudhën e tanishme, në të gjitha vendet evropiane dhe joevropiane, po shkruhen skenarë analogë “Apokalipsi”. Paketat financiare të iniciiura deri tani nga çdo shtet do të kërkojnë edhe mbështetjen nga vendet e zhvilluara për vendet me pak të zhvilluara. Tashmë kjo ka filluar. ShBA akorduan ndihmën e parë për këto vende (ku bën pjesë dhe vendi ynë, BE gjithashtu, por edhe Kina e Rusia). Si gjithnjë të parët, ShBA. Por, një bashkëpunim më i madh dhe koordinim i vendeve të zhvilluara në ndihmë të shteteve të tjera në nevojë, mund dhe duhet të na çojë drejt “Një Plani të Ri Marshall”. Koha dhe situata kërkojnë atë.
“Nesër kur koronavirusi të zhduket”, shumë gjëra do të ndryshojnë në jetën tonë. Ne do të jemi me të ndërgjegjësuar për shkallën e globalizimit, sesa i madh është numri lidhjeve dhe ndërvarësive në nivel global. Jetojmë në një planet të vogël dhe ajo që ndodh në një vend prek edhe pjesën tjetër, pa asnjë vështirësi dhe pa patur nevojë për “pasaportë”. Koronavirusi e dëshmoi këtë dhe na imponon më shumë solidaritet, një bashkëpunim ndërkombëtar për t’u përballur me pasiguritë që po shfaqen.
Ne do të shohim sesi në këto rrethana të vështira u formua një front i gjerë shoqëror dhe politik i cili do të fillojë të kërkojë që të bëjë gjërat e vetëkuptueshme, domethënë një sistem të fortë shëndetësor publik, ndërhyrjen e shtetit ku është e nevojshme, në mënyrë demokratike dhe në favor të shoqërisë. Do të kërkojmë më shumë që të jepet mbështetja për një shoqëri që respekton solidaritetin, misionin, shërbimin ndaj qytetarit, ndaj moshës së tretë apo shtresave në nevojë (dhe jo të duartrokasim sot dhe nesër të nisim shkurtimet e shpenzimeve p.sh. për mjekët, stafin ndihmës mjekësor) etj. Do të kuptojmë sa i nevojshëm është korrigjimi për atë që s’kemi bërë apo s’e kemi bërë si duhet (siç po bëjmë tani mjaft mirë ketë gjë për ketë qëllim) Do të mësohemi sesi të miratojmë modele të zhvillimit të qëndrueshëm bazuar në drejtësi sociale.
Ndërkaq, “nesër kur koronavirusi të zhduket”, do të kemi një ndryshim edhe në sjelljen shoqërore, në sjelljen e individit, të edukimit të tij shëndetësor, të qëndrimit dhe qasjes së tij ndaj shumë fenomeneve të jetës ekonomike e sociale, shëndetësore e arsimore. Asgjë s’do të jetë si më parë.
Ndoshta “nesër kur koronavirusi të zhduket” do të kërkojmë të kemi më shumë informim dhe kulturë shëndetësore, të dimë më shumë për epidemitë dhe pandemitë, për rreziqet e tyre dhe si duhet të sillemi me to dhe si duhet të mbrohemi prej tyre. Mbase ne nuk do t’i japim dorën njeri-tjetrit kur të takohemi (siç e kemi traditë), por sigurisht, do të jemi më solidarë, mbase nuk do të puthemi e nuk do të përqafohemi, por do kemi mësuar të jemi më pranë njëri-tjetrit. Do të dimë të zbatojmë më mirë të zbatojmë rregullat, të qëndrojmë në shtëpi me familjen, çfarë duhet të gatuajmë që të ushqehemi shëndetshëm etj.
Ndoshta “nesër kur koronavirusi të zhduket” do të kuptojmë më mirë që zhvillimet globale janë marramendëse, nën ndikimin e zhvillimit dhe të shkencës e të arsimit (studimet online apo e-learning), të teknologjisë, inovacionit, robotikës e inteligjencës artificiale. Do të kuptojmë se kërkesat e tregut të punës do të ndryshojnë, se profesione të reja do të zëvendësojnë shumë profesione ekzistuese. Pa u përshtatur me to nuk mund t’i bëjmë ballë zhvillimit që po ndodh, dhe të ardhmes, vet jetës, vet fenomeneve të tipit të koronavirusit.
Gjithashtu, “nesër kur koronavirusi të zhduket” ndërsa biznesi do të ndërtoje strategji dhe orientime të reja të zhvillimit të tij, qeveritë do të rishikojnë programet, politikat, prioritetet e zhvillimit, do të ndërmarrin reforma për ristrukturime të reja ekonomike për të reflektuar mësimet nga COVID-19.
Kështu, pak para shpërthimit të pandemisë, shumë studiues kanë debatuar gjatë për treguesin “Smart Bubble Risk Index” i cili në vitin 2020 regjistron nivelin rekord të rrezikut global duke u rritur për më shumë se 20 për qind në krahasim me nivelet e regjistruara në 2017. Ky indeks risku merrte parasysh ndikimin e te ashtuquajturave “flluska ekonomiko-financiare” në ekonominë globale, ndikimin e ndryshimit të klimës, sjelljet nga katastrofat natyrale, luftërat rajonale dhe fenomenet e rënda të terrorizmit etj. Pandemia risolli në debatin ekonomik botëror problemin e matjes së riskut në forma të reja dhe në kushte të reja. Konkluzioni kryesor është se “Rrethanat ekstreme”, të përfaqësuara nga urgjencat si kjo e koronavirusit, vë në dyshim seriozisht shkallën e rezistencës së sistemeve tona. Për këtë arsye është e nevojshme të gjendet një zgjidhje multilaterale me një qasje të re të administrimit të rrezikut, në mënyrë që të kufizohen efektet negative në strukturën socio-ekonomike. Për më tepër, masat e bashkërenduara janë thelbësore për të shmangur rrezikun e një krize më të rënde ekonomike.
Po si mund të zvogëlojmë këtë nivel risku me politikat shtetërore?
Shumë ekonomistë mendojnë se duke ju përgjigjur disa pyetjeve:
Pas mbarimit të krizës së pandemisë duhet të fillojmë nga stimulimi me politika shtetërore aktive për degët me të dëmtuara apo të degëve më pak të dëmtuara?
Diskutimi më tipik në këtë rast që bëhet nga të gjithë është: nga duhet filluar nga turizmi që është shkatërruar tërësisht apo bujqësia që është shkatërruar pjesërisht. Ideale do të ishte nga të dy, po nëse fondet nuk ekzistojnë për të dy? Kështu fillon një diskutim i gjerë dhe kryesisht me elemente të analizës faktoriale. Përgjithësisht merren parasysh këta faktorë bazë: numri i të punësuarve, kontributi i degës në PMB, menaxhimi i masës së investimit ose subvencionit, niveli i multiplikatorit që mund të gjenerojë ky financim etj. Të gjithë ekspertet e fushave të ndryshme ekonomike, sipas interesave personale, ndikimeve edukuese teorike dhe ndërgjegjes shkencore, ndërtojnë argumentet e tyre. Në përgjithësi, të gjithë pranojnë se kontributi në punësim dhe stimulimi i kërkesës së konsumit të domosdoshëm duhet të jenë faktorët përcaktues.
Do te kenë pasoja politikat ekonomike për të përballuar pandeminë në rritjen e deficitit buxhetor dhe si do kufizohet ky i fundit?
Tashmë janë bërë të njohura paketat financiare të të gjithë shteteve për të injektuar ekonomitë e tyre në përballje me pandeminë e COVID-19 dhe për të frenuar recensionin dhe krizën e ekonomive kombëtare dhe globale. ShBA do të injektojë dy bilionë dollarë, pothuajse të gjitha vendet evropiane parashikojnë masa që hedhin në treg një shumë që rrotullohen nga 10-15 për qind e GDP-se së tyre. Për herë të parë në historinë moderne të Evropës së Bashkuar u tolerua ndaj treguesve të deficitit dhe borxhit publik ndaj GDP-së në vendet e BE-së. Përtej kësaj, shumë organizma ndërshtetërore ndërtuan sisteme për nxitjen e kredive për bizneset e vogla dhe të mesme në shuma kolosale. Me këtë synohet ruajtja e vendeve të punës, ngadalësimi i rënies ekonomike, por mbi të gjitha zhvillimi i kontrolluar i ristrukturimit të ekonomisë. A do të ketë rezultat?
Asnjë nga ekonomistët më në zë në skenën ndërkombëtare nuk mund t’i japë një përgjigje të plotë kësaj pyetjeje. Në krye qëndron mendimi se shumë do të varet nga koha e zgjatjes së pandemisë. Disa janë të mendimit se pas kësaj gjendjeje do të kemi ndryshime rrënjësore në strukturat ekonomike, format e zhvillimit dhe në konceptin e pasurisë. Mbi të gjitha, do të ketë ndryshime radikale në raportet ekonomike ndërkombëtare. Pothuajse të gjithë pranojnë që efekti kryesor i pandemisë do të jetë “qethja e borxhit shtetëror të disa vendeve” dhe zhvlerësimi i suficitit të bilancit të pagesave të disa vendeve të tjera. Në BE ketë fenomen shumë ekspertë e quajnë rikthim në gjendjen fillestare të zhvillimit të Evropës së Bashkuar, sepse bankat gjermane, franceze dhe të vendeve të ulëta do të mbrohen nga falimentimi i shteteve të brishta ekonomikisht, si Italia, Spanja, Greqia, Portugalia etj. Ky fenomen quhet nga të gjithë si “mekanizmi i zhvlerësimit të borxheve dhe suficiteve”.
Ka shumë ekonomistë të tjerë që mendojnë se bizneset duke shfrytëzuar financimet me kosto të ulët do të realizojnë shumë me shpejt ristrukturimin e biznesit të tyre. Shembulli më tipik ishte në Kinë që një shoqëri e prodhimit të makinave në falimentim ristrukturoi prodhimin e saj në materiale mjekësore dhe për dy muaj arriti jo vetëm të mbulojë humbjet, por dhe të bëhet lider në sektorin e materialeve shëndetësore. Shpejtësia në luftën e sigurimit të një vaksine për Covid-19 në fakt tregon sesa shpejt mund të transformohen rezultatet e një arritjeje shkencore në ekonominë botërore.
E pra, “nesër kur koronavirusi të zhduket”, nuk duhet lejuar që Bankat Qendrore të zhyten dhe është e domosdoshme të mbrohet sistemi bankar nga një krizë e mundshme. Padyshim që masat e Bankave Qendrore dhe veçanërisht e FED dhe BQE dhe në një linjë me to dhe ato të Bankës së Shqipërisë (veç paketës financiare të Qeverisë dhe të atyre që priten) janë një mbështetje e rëndësishme për përballjen me krizën aktuale dhe ndihmojnë për një rigjallërim të shpejtë të ekonomisë. Ndërkaq, shumë ekonomistë, financierë e bankierë mendojnë dhe sugjerojnë zbatimin edhe të një politike të pa përdorur ndonjëherë që shumë e quajnë “Helicopter Money”. Ata mendojnë se duke lidhur ketë levë me funksionet digjitale të bankave, mund të ruajnë një ekuilibër të kërkesës dhe ofertës. Politika “Helicopter Money” do të thonë thjesht depozitimi për të gjithë qytetaret te pajisur me karta debiti ose krediti të një shume në llogaritë e tyre për të bere blerje online. Ështe një nga format e menduara për luftën kundër pandemisë. Kjo periudhë ka rritur në mënyre të ndjeshme blerjet online dhe i vetmi treg pune në rritje është ai i dorëzimit të mallrave në shtëpi. Kjo masë do të sjellë një ndryshim thelbësor të digjitalizimit të biznesit, gjë që do të shoqërohet me një zhvillim të papare te industrisë 4.0. Jeff Bezos në periudhën që të gjithë parashikonin kalimin e punonjësve në asistencë sociale deklaroi hapjen e 150 mijë vendeve pune pikërisht për të ristrukturuar shoqërine e tij në këtë drejtim. Është shembulli i parë i një ristrukturimi thelbësor në kushtet e krizës.
Gjithashtu, “nesër kur konovirusi të zhduket”, do të qartësojmë më mirë pse ë një krizë të tillë, të gjithë i mbajmë sytë nga Qeveria dhe jo nga tregu. Dhe, ky është një mesazh që mbase disa rregulla të ekonomisë së tregut duhet të ndryshohen. Duhet të ndërtojmë politika që luftojnë monopolet, që paraprijnë disekuilibrin mes punonjësve dhe kompanive të mëdha që operojnë në treg. Duhet të ndërtojmë një veprimtari transparente bashkëqeverisje duke nisur nga qeveritë, komuniteti i biznesit e deri te shoqëria civile. Kërkohet të investohet më shumë për shëndetin dhe çështjet sociale, më shumë për shkencën, teknologjinë, arsimin dhe inovacionin.
Më në fund, “nesër kur koronavirusi të zhduket”, asgjë s’do të jetë si më parë, se shumë, shumë gjëra do të ndryshojnë.
Le t’i përqafojmë këto ndryshime.