Telegrafi

Çfarë shkruan në dënimin e Stanishiqit dhe Simatoviqit – bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviqit

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (KPM) dënoi sot ish-krerët e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (SDB) të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, me 12 vjet burg në gjyqin më të gjatë në historinë e gjykatës në Hagë.

Dyshja u dënua me 12 vjet burg për ndihmën në ndjekjen, vrasjen, dëbimin dhe transferimin me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosnje-Hercegovinë në vitin 1992. Është vërtetuar se Stanishiq dhe Simatoviq kontrollonin njësinë Bereta e Kuqe nga Serbia, e cila bëri krime në Samac.

Rigjykimi i Stanishiqit dhe Simatoviqit është gjyqi më i fundit para gjykatës së Hagës për të përcaktuar nëse zyrtarët serbë ishin përgjegjës për krimet e luftës në Bosnje dhe Kroaci. Që kur ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviq, vdiq para se të shqiptohej vendimi, deri më tani në Hagë, asnjë ekzekutiv i atëhershëm në Serbi nuk është shpallur fajtor për këto krime. Vetëm komandantët ushtarakë u dënuan për këtë.

Në vendimin e shkallës së parë thuhet se prokuroria nuk provoi fajësinë e Stanishiqit dhe Simatoviqit për krime në pesë komuna të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe në Kroaci, gjegjësisht në Knin Krajina dhe Slavonia Lindore nga viti 1991 deri në 1995, transmeton Telegrafi.

Nuk është provuar që Stanishiq dhe Simatoviq ishin pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte largimin e përhershëm dhe të dhunshëm të kroatëve dhe boshnjakëve nga pjesë të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Është vërtetuar se Stanishiq dhe Simatoviq kishin njohuri për ndërmarrjen kriminale, por që prokurorët nuk provuan se ata kishin qëllime kriminal me pjesëmarrësit e tjerë në ndërmarrjen kriminale, raporton klix.ba.

U përcaktua që zyrtarë të tjerë politikë, ushtarakë dhe policorë të Serbisë, të ashtuquajturit Republika Srpska Krajina dhe Republika Srpska ishin pjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale.

Është vërtetuar se forcat serbe në Kroaci dhe Bosnje, me qëllim përndjekjen e popullatës joserbe, kryen krime të shumta.

Gjykata theksoi se dënimi 12-vjeçar i Stanishiqit dhe Simatoviqit do të përfshinte kohën e kaluar në paraburgim. Nuk u tha se sa kohë, sipas vendimit të shkallës së parë, Stanishiq dhe Simatoviq duhet të kalojnë në burg, por ata qëndrojnë në paraburgim derisa të transferohen në vendet ku do të vuajnë dënimin e tyre.

Si mbrojtja ashtu edhe prokuroria kanë të drejtë të apelojnë vendimin e shkallës së parë. /Telegrafi/