Site icon Telegrafi

Ç’farë porosie na sjell ‘Hasan Prishtina’?

Çdo shënim i përvjetorit të ditës së flamurit kombëtar, në viset shqiptare shprehet me një veçanti nga vitet paraprake. Mirëpo çdo herë e kujtojmë një datë, atë të 28 nëntorit të vitit 1912. Të tilla manifestime organizohen në Vlorë, Prishtinë ,Shkup, Preshevë e gjetiu. Në rrethana të ndryshme politike, ekonomike, sociale nga vitet paraprake. E këtë vit kishim vitin e 99 të rrugëtimit tonë, me shtetin tonë, me historinë tonë 99 vjeçare shtetëformuese. Kjo datë na bënë që të analizojmë, shikojmë, vështrojmë, studiojmë veprimet tona gjatë rrugës sonë.

Pra më këtë datë në qytetin e Vlorës u shpallë pavarësia e Shqipërisë, pas një seri kryengritjesh shqiptare kundër Perandorisë osmane, që si rezultat i organizimit të saj ushtarak dhe administrativë quhej “i sëmuri i Ballkanit”. Kryengritjet shqiptare arritën qëllimin e tyre, por lufta e tyre kundër pushtuesit osman ishte shpatë me dy tehe. Ajo i dha në një formë mundësi shteteve fqinjë, (që krijimin e shteteve të tyre kombëtare, kishin arritur më herët, Serbia, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria) të realizonin planet e tyre pushtuese në dëm të tokave shqiptare.

Këto projekte anitshiptare ato i realizuan përmes një aleance ballkanike, kundër Perandorisë Osmane të quajtur në histori si Lufta e Parë Ballkanike, e në fakt ishte kundër shqiptare. Sepse kryengritjet shqiptare të verës, dhe fillim vjeshtës të 1912 kishin arritur t’i dërrmonin repartet e dergjura të ushtrive Turke që kishin mbetur në Ballkan.

Ushtria serbe gjatë marshimit të saj nga Sanxhaku e deri në Shkup, kishte kryer terror të paparë mbi popullsinë civile Shqiptare. Këtë më se miri e përshkruan historiani anglez, Misha Glenny në librin e tij për Ballkanin, kur i referohet një dëshmitari të kohës “…të ura mbi lumin Vardar në qendër të Shkupit, banorët ishin zgjuar më një skenë ku pirgjeve te lumit shiheshin shqiptarë me koka të prera…”. Kurse Shkodra ishte nën rrethimin e forcave malazeze, e në jug ishin vërsulur ekzekutuesit e “Megala ides”.

Trojet shqiptare gjatë tetorit të vitit 1912 ishin bërë arenë luftimesh, vrasjesh, copëtime tokash nga shtetet fqinjë, kurse në vend akoma gjendej pushtuesi pesë shekullor edhe pse i plagosur për vdekje. Këto ishin rrethanat në të cilat vepruan protagonistet e 28/nëntorit të vitit 1912.

Përveç dominimit të ngjyrave kuqë e zi, flamujve gjigantë kombëtar, homazheve pranë varreve të heronjve kombëtar, deklaratave politike “të nxehta”, të disa akëterve politikë në ditët tona, në shumicën e qendrave shqiptare, ishin karakteristika gati të ngjashme me manifestimet e viteve të kaluar.

Mirëpo në Prishtinë shënimi i 99 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, dhe ditës së flamurit kombëtar do të kujtohet më një shenjë, simbol, në kujtesën tonë, të vendosur në qendër të Prishtinës. Nga data 28 nëntor 2011, në oborrin e ndërtese së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, do të qëndroj shtatorja e njërit nga personalitetet ma të pasura dhe të pastra të historisë tonë kombëtare. Universitetin dhe në tërësi kryeqytetin do ta madhështoj shtatorja e heroit kombëtar Hasan Prishtinës.

Vendimi i rektorit të UP-së, për ta vendosur para rektoratit, figurën e Hasan Prishtinës në vepër arti është një veprim që duhet të çmohet për shumë arsye. Mirëpo ajo që më së shumti do të vlerësohet është se Universiteti si një kështjellë e diturisë, tani e tutje do ta ketë në qendër të sajë njeriun që diturinë e tij e vuri në shërbim të interesave të vendit të tij.

Çka duhet të mësojmë nga shtatorja e Hasan Prishtinës?
Studentë e profesorë të UP-së, por edhe mbarë shoqëria kosovare, duhet të marrë si model, se si formohet një personalitet i mirëfilltë në aspektin intelektual, kombëtar, shkencor, dhe se si dhe ku duhet të shfrytëzoj qenien e tij. Studentet e UP-së, përmes organizimeve të tyre, forumeve, shoqatave, të angazhohen për proces mësimor me cilësi të larta, ngritjen e nivelit të studimeve, rritjen e bashkëpunimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, respektimin e normave, rregulloreve, ligjeve, qe kanë të bëjnë me arsimin e lartë, e jo të shesin interesin kombëtar, shtetëror, për disa benificione personale e familjare.

Heroi ynë kombëtar duhet të ju shërbej disa politikave tanë që për kauzë kombëtare duhet të sakrifikohet pasuria, e jo çështja kombëtare t’i pasuroj. Të gjitha këto sot arrihen në rrethana dhe kohë shumë më të volitshme, së në kohën e veprimtarisë së fatosit tonë kombëtarë. Të gjithë ata që sot veprojnë në të mirën e vendit të tyre, nuk do të kërcohen, nuk do të burgosen, nuk do të ndiqen dhe të organizohen atentate ndaj tyre.

Nuk thuhet kot se koka e një kombi është universiteti, dhe kemi obligim ruajtjen e tij nga çdo infeksion i mundshëm. Prandaj vendosjen e kësaj shtatoreje duhet ta marrim edhe si një “barë” shërues ose më mirë të themi parandalues. Me vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës, në oborrin e rektoratit të UP-së, rektori e bëri veprimin e duhur në vendin e duhur. Vendimi dhe vepra e tij do të mbesin, kurse ne duhet të mësojmë.

Exit mobile version