Site icon Telegrafi

Çfarë po ndodh? Në kufi me Rusinë, stërvitja më e madhe e NATO-s që prej fundit të Luftës së Ftohtë

Në mesin e akuzave të pandërprera për agresion nga ana e Rusisë, NATO do të vendosë 45 mijë trupa në Europën Veriore, në atë që pritet të jetë stërvitja më e madhe “defensive” e aleancës që prej fundit të Luftës së Ftohtë.

Sipas mediave, 50 avionë luftarakë, 70 anije dhe rreth 10 mijë mjete tokësore do të marrin pjesë në stërvitjen e Trident Juncture 18 të NATO-s, që do të nisë më 25 tetor me ushtrime tokësore dhe do të zgjasë deri më 7 nëntor.

Siç thuhet më tej, 31 vende aleate dhe partnerë pritet që të marrin pjesë në këtë stërvitje të përbashkët.

Vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg i quajti këto manovra masive ushtarake “defensive dhe transparente”, duke shtuar të gjithë anëtarët e OSBE-së, përfshirë Rusinë, që të marrin pjesë si vëzhgues.

Kjo stërvitje do të simulojë mbrojtjen e një shteti të aleancës që sulmohet nga një agresor “fiction”.

Megjithatë fakti që vendet ku është planifikuar stërvitja janë të vendosura në Norvegji, Finlandë dhe Suedi, ka bërë që vëzhguesit ta konsiderojnë këtë si një stërvitje e cila ka ardhur si pasojë e tensioneve në rritje mes NATO-s dhe Rusisë, për kontrollin e Arktikut.

Stërvitja do të testojë gjithashtu aftësinë e aleancës për të operuar në mot të ftohtë, përcjell tvklan.al.

Ndonëse kjo nuk është stërvitja e parë Trident Juncture, kjo e këtij vitit do të jetë më e madhe që prej 1991-it, kohë kur ra Bashkimi Sovjetik.

NATO e ka shtuar ndjeshëm prezencën dhe aktivitetin e trupave të saj ushtarakë në kufirin me Rusinë, përfshirë në shtetet Baltike dhe në Europën lindore, që prej bashkimit të Krimesë me Rusinë dhe konfliktit në lindje të Ukrainës në vitin 2014.

Përgjatë muajve të fundit, aleanca ka kryer disa stërvitje të mëdha. Edhe numri i trupave të NATO-s në rajon është rritur.

Polonia i ka ofruar 2 miliardë dollarë SHBA-së që kjo e fundit të vendosë ngrejë një bazë ushtarake të përhershme në territorin e saj, ndërsa në Norvegji, kontigjenti i Marinës Amerikane është rritur ndjeshëm nga 330 në 770.

Ndërkohë Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse duke komentuar stërvitjen e radhës së aleancës tha se “përshkallëzimi i aktivitetit ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Arktikut, në afërsi të Rusisë, në territorin verior të Norvegjisë, nuk ka kaluar pa u vënë re”.

Exit mobile version