Site icon Telegrafi

Çfarë po feston Edi Rama?

Teksa ka lënë pas këtë të diele nervashkatërruese, Edi Rama ka shpallur më shumë se një arsye për të festuar.

Ai ka arritur të realizojë votimet e 30 qershorit, përkundrejt kërcënimit se do t’ia prishnin ato. Ai, që sot e tutje, ka në dorë të gjithë pushtetin lokal, pasi mbretëron prej katër muajsh në një Parlament njëngjyrësh.

Ai mund të mburret se nuk përkulet para asnjë lloj shantazhi dhe se i shmangu vendit precedentin e kërcënimit me mos pjesmarrje në zgjedhje.

Ai mund të përkëdhelë egon e vet, kur mendon se arriti të ndërtojë koalicionin më të pamundshëm ndonjëherë në histori, atë mes një partie politike, shtetit të vënë në shërbim të saj, botës së krimit dhe faktorit ndërkombëtar, që u renditën së bashku në njërën anë të llogores.

Natyrisht, për këto, ai ka të gjitha të drejtat e botës të thërrasë: fitore.

Por, triumfi i tij është një nga ato beteja të cilave nuk ke çfarë i feston.

Sepse, pavarësisht shifrave zyrtare të këtyre votimeve (ku pjesëtarët e organizatës janë edhe votues, edhe komisionerë, edhe numërues, edhe vëzhgues), ai provoi se sundon si pakicë në këtë vend.

Sepse, duke shtrirë në Shqipëri modelin e partisë ku mbretëron, ai organizoi një ndeshje pa garë dhe pa rivalë.

Sepse ai shpalosi, në sytë e të gjithëve, një lloj shteti që do ta kishin zili edhe tiranët më të mëdhenj të planetit, ku KQZ nuk pyet për dekretet presidenciale, ku policia i bindet vetëm urdhrit politik, ku Idajet Beqiri peshon më shumë se Gjykata Kushtetuese dhe ku zgjedhjet përfundojnë si gjithmonë me një “tërmet” të sigurt.

Sepse, ai, këtë 30 qershor, e mbylli ciklin e kapjes së gjithçkaje, që nga Parlamenti monist, pushteti lokal, Prokuroria, shërbimi sekret dhe Presidenca, me të cilën sillet sikur të mos ishte.

Pra, në këtë kuptim, beteja e Edi Ramës është një nga ato të cilave fitimtari nuk i gëzohet dot. Pasi ajo nuk është një lojë që përfundoi duke zbatuar rregullat, por duke i shkatërruar ato. Pasi ajo nuk qe një ngadhënjim brenda sistemit demokratik, por përpjekja e fundit për ta shembur atë.

Si e tillë, kjo fitore mbart mbi vete të gjitha risqet që mund të sjellë kapërcimi nga demokracia drejt regjimit. Ajo vërtet mund të prodhojë, ndoshta edhe për një kohë të gjatë, një lider të fortë dhe të pakundërshtueshëm. Ajo mund përbëjë shtratin që Edi Rama ka ëndërruar gjithnjë për të përkundur ëndrrat e tij, atë ku ai është edhe profeti, edhe polici, edhe artisti, edhe gardiani, edhe bamirësi, edhe xhelati, edhe sundimtari, edhe rebeli.

Por, ashtu si tiranët që shemben veçse prej peshës së tyre, cikli që ka nisur prej të kësaj të diele, i ka hequr Edi Ramës mundësinë për të dalë nga loja me mënyrat elegante që të ofron pluralizmi.

Nga sot e tutje, ai do e ketë pothuajse të pamundur të largohet me zgjedhje për të vazhduar atë jetën e tretë, që aq shumë e ka propaganduar, qoftë me Koçon në Vuno, apo qoftë me Zahon në Surrel.

Duke u sjellë si anormal në pushtet, duke demonstruar një grykësi të pashoqe në ushtrimin e tij, ai e ka zhveshur veten nga një dalje normale nga skena.

Ashtu si ç’i ka marrë sot të gjitha, ai rrezikon nesër të humbasë gjithçka, qoftë edhe fizikisht.

Kjo është faza e re ku ka hyrë. Prandaj, sado e madhe të duket fitorja e djeshme, ajo është një nga ato atë cilave fitimtari nuk i gëzohet dot, sepse para se të ndjellë triumf, ajo tenton të prodhojë makth.

Exit mobile version