Site icon Telegrafi

Çfarë përfaqëson Amy Gutmann, ambasadorja e re e SHBA-së në Gjermani?

Joe Biden po dërgon Amy Gutmann-in si ambasadore në Berlin. Ajo ka shumë punë për të bërë, duke u shoqëruar nga shpresa e rivendosjes së marrëdhënieve transatlantike.

Amy Gutmann mund të sjellë frymë të re në marrëdhëniet transatlantike midis SHBA-së dhe Gjermanisë, gjë që është shumë e nevojshme aktualisht.

Presidenti Joe Biden ka bërë të ditur zyrtarisht, se ajo, Amy Gutmann do të jetë ambasadorja e ardhshme amerikane në Berlin.

Gutmann do të fillojë nga puna, pas konfirmimit të emërimit të saj nga Senati amerikan. Kështu 71 vjeçarja do të jetë gruaja e parë që do të mbajë këtë post.

Stili i saj është krejt i ndryshëm nga ai i ambasadorit të mëparshëm: Richard Grenell, njeriut besnik të Trumpit, i cili vlerësohej si agresiv dhe impulsiv.

Në qershor të 2020-s, ai u largua nga posti dhe shkoi në Uashington si drejtor i shërbimit sekret.

Ka pra një vit që në Berlin nuk ka ambasador të SHBA-së. Detyrën e ka kryer në mënyrë komisare diplomatja, Robin Quinville.

Vlera demokratike

Amy Gutmann është munduar gjatë karrierës së saj akademike që të harmonizojë teorinë dhe praktikën politike, për të nxjerrë në pah vlerat dhe moralin e një shoqërie demokratike.

Në këto përpjekje ajo arriti të fitonte aq influencë, saqë revista Fortune e klasifikoi në listën e “50 liderëve më të mëdhenj të botës”.

Në biografinë e Gutmann-it mund të lexosh cilat janë idealet dhe prioritetet e saj.

Duke qenë profesoreshë në fushën e politikës në Universitetin e Princetonit ajo ngriti një institut të specializuar për moralin, që quhet University Center for Human Values, Qendra Universitare për Vlerat Humane.

Gjatë kohës që president i SHBA-së ka qenë Barack Obama, Gutmann-i drejtoi Komisionin për studimin e çështjeve të bioetikës.

Ajo drejton Universitetin e Pensilvanisë që nga viti 2004. Ajo ka shkruar shumë për vlerat e arsimit dhe reflektimin e tij në demokraci, ka shkruar pro dhe kontra politikës identitare si dhe për rolin e moralit në çështjet publike dhe politike.

Duke pasur parasysh këto gjëra mund të thuash se vendimi i Bidenit për ta emëruar Gutmannin në këtë post i përshtatet maksimës që ai mbështet, për të forcuar demokracinë në të gjithë botën.

Edhe Julian Müller-Kaler nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme, Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politik, mendon se zgjedhja e saj i përshtatet konfiguracionit: “Drejtimi që ajo ka pasur në punën akademike për demokracinë, tregon se Bideni e ka seriozisht me përpjekjet për t‘i bërë bashkë demokracitë, sidomos ato të Europës në një politikë antagoniste kundrejt Kinës”, shkruan Müller në përgjigje të një pyetjeje nga Deutsche Welle.

Gutmann ka marrëdhënie të mira me Bidenin. Në vitin 2017 ajo hapi në Uashington Qendrën Penn -Biden për diplomacinë dhe angazhimin global, qendër që merret me diplomaci, me politikën e jashtme dhe dialogun për sigurinë kombëtare.

Lidhje personale me Gjermaninë

Ajo do të duhet tani të verë në provë aftësitë e saj diplomatike edhe në fushën e politikës së jashtme.

Me vete Gutmanni sjell një referencë biografike me Gjermaninë: I ati i saj, Kurt rrjedh nga një familje konservatore hebreje nga Nurembergu. Kur Adolf Hitleri mori pushtetin më 1933, ai ishte student. Një vit më vonë ai u arratis së bashku me familjen duke shkuar fillimisht në Indi dhe më pas në Nju Jork, ku ka lindur edhe Amy Gutmann.

Në vitin 2013, ajo pati thënë për gazetën universitare “The Daily Pennsylvanian”, se përvoja e të atit në Gjermaninë nacional-socialiste ka pasur “ndikim të madh” tek ajo. “E gjithë familja e saj do të ishte zhdukur nga faqja e dheut, nëse nuk do të kishte arritur të arratisej”.

Fillim i ri në marrëdhëniet transatlantike

Që me marrjen e detyrës në muajin janar, presidenti Biden është duke u përpjekur të rinisë marrëdhëniet transatlantike dhe të rregullojë dëmet e shkaktuara gjatë katër vjetëve të Donald Trumpit.

Pyetja është çfarë roli mund të luaj në këtë mes Amy Gutmann.

“Gutmann përfaqëson qeverinë Biden dhe është e afërt me Bidenin,” thotë për Deutsche Wellen, Sudha David-Wilp, zëvendësdrejtore e zyrës në Berlin të organizatës German Marshall Fund.

Por rifitimi i besimit nuk do të jetë i lehtë: “Problemi qëndron tek opinioni publik i gjermanëve dhe tek besimi që ata kanë tek SHBA-ja. Tek kjo pikë, ambasadorja e re duhet të përveshë mëngët dhe t’u tregojë gjermanëve se SHBA e sheh Gjermaninë si partnere të rëndësishme. Disa gjëra nuk do të jenë më siç kanë qenë, por marrëdhëniet transatlantike janë të rëndësishme si për stabilitetin e Europës ashtu edhe të SHBA”.

Ka edhe çështje, për të cilat palët nuk janë dakord, dhe Gutmann duhet të merret që në fillim me to, sidomos me gazsjellësin Nord Stream 2 që është duke përfunduar së ndërtuari, i cili do të sjellë direkt në Gjermani gazin rus.

Ka edhe tema të tjera konflikti që presin të zgjidhen nga Gutmann-i: “Së pari është tema e pazgjidhur ende e doganave midis Europës dhe SHBA-së. Pastaj natyrisht, tema e Kinës një temë e cila na bën bashkë të gjithëve, por edhe na ndan”, thotë David-Wilp.

Vërtet që Gutmann ka pak përvojë diplomatike – thotë David-Wilp, por “kapaciteti intelektual” i saj, premton që ajo të bëhet një ambasadore e mirë.

Sipas pikëpamjes së Julian Müller-Kaler, trajtimi i duhur i Kinës do të vazhdojë të mbetet temë e rëndësishme në marrëdhëniet transatlantike.

“Megjithë tensionet e fundit, Berlini preferon një trajtim më pak ideologjik dhe më shumë pragmatik të Kinës, e cila nuk e pranon konceptin e “demokracisë kundër autoritarizmit”.

Gutmann-in e pret një “ecje e kujdesshme në përmirësimin e marrëdhënieve, trajtimin e konflikteve aktuale dhe sigurimin e mbështetjes gjermane për politikën e Bidenit”, thotë Müller-Kaler. /DW/

Exit mobile version