Temperaturat në Katar – një nga vendet më të nxehta në Tokë – janë rritur aq shumë sa që autoritetet kanë instaluar kondicionerë në hapësira të hapura, përfshirë në rrugë dhe tregje të jashtme.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendi, ku temperaturat e verës tani arrijnë deri në 46C, tashmë ka filluar instalimin e kondicionerëve në stadiumet e futbollit në përgatitje të Kupës së Botës në 2022.
Por, ftohësit gjigantë janë instaluar gjithashtu përgjatë trotuareve dhe madje edhe në qendrat tregtare në natyrë, kështu që një fllad i ftohtë lejon që jeta të vazhdojë si më parë.
Gjithashtu, është bërë e ditur se rrugët në kryeqytetin e Katarit, Doha, janë ngjyrosur me ngjyrë blu, sepse ngjyra thith më pak nxehtësi sesa ngjyra e zezë, kështu që sipërfaqja mbetet më e freskët për më gjatë.
Por instalimi i kondicionerëve në natyrë po vlerësohet si pjesë e një “cikli të egër”, pasi energjia elektrike që i vë në lëvizje ata është nga karburantet fosile – të cilat lëshojnë edhe më shumë dioksid karboni në atmosferën që po shkakton emergjencën e klimës.
Katari, i cili është vendi më i madh për frymë që lëshon gazra të tilla, sipas Bankës Botërore – gati tre herë më shumë se Amerika dhe pothuajse gjashtë herë më shumë se Kina – përdor rreth 60 për qind të energjisë elektrike të tij për ftohje.
Kështu, kapaciteti i përgjithshëm i ftohjes së vendit dhe emetimet – pritet të dyfishohen gati në 2030 nga niveli i vitit 2016, sipas Konferencës Ndërkombëtare të Ftohjes dhe Ngrohjes së Qarkut.
Gjithsesi, “në zonat me rritje të shpejtë urbane në të gjithë Lindjen e Mesme, disa qytete parashikojnë që të bëhen të pabanueshme”, tha Mohamed Ayoub, drejtor i lartë kërkimor në Institutin e Kërkimit të Mjedisit dhe Energjisë në Katar.
“Ne po flasim për rritje 4 – 6 gradë Celsius në një zonë që përjeton tashmë temperaturë të lartë”, tha z. Ayoub. /Telegrafi/