Site icon Telegrafi

Çfarë nënkupton demokracia?

Demokracia është të kuptosh se je njeri, të kuptosh se ka edhe njerëz të tjerë dhe nuk je i vetëm; të kuptosh se me këta njerëz është nevojë dhe domosdoshmëri të merresh vesh; të kuptosh që nuk duhet të imponohesh, por të bindesh veten së pari e më pas të tjerët se jemi njerëz që nuk mbijetojmë dot pa njëri-tjetrin; të kuptosh se flora dhe fauna e kësaj toke kanë demokraci ndërmjet tyre prej miliona vjetësh, por njeriu në mungesë të demokracisë mes vetes po i shkatërron.

Demokraci është marrëveshja ndërmjet gjallesave të tokës për të mbijetuar në harmoni natyrore dhe hyjnore. Demokraci do të thotë “pushtet i popullit’’ ose "sovranitet i popullit”, në kundërshtim me aristokracinë (qeverinë e më të mirëve ose fisnikëve) dhe "monarkinë” (qeverisja e një të vetmi).

Por, ky përkufizim nuk na ndihmon shumë, pasi në asnjë vend nuk komandon populli.

Ato që komandojnë janë qeveritë (për fat të keq dhe burokracia, nëpunësit e shtetit që janë pak ose hiç fare të përgjegjshëm). Në të vërtetë, ka vetëm dy forma shteti: ajo në të cilën mund të lirohesh nga një qeveri pa gjakderdhje, me vota, dhe në atë të “pamundurën”.

E para është “demokracia" e dyta "diktatura’’.

Demokracitë nuk janë qeveri të popullit, por mjete kundër diktaturës, e cila na detyron të jetojmë në një situatë të cilën nuk e kemi dashur, por që dhe nuk mund ta ndryshojmë.

Është detyra jonë civile që një situatë e tillë të evitohet të prodhohet. Demokracia nuk i lejon asnjë qeverie të tipit “diktatorial” akumulimin e pushtetit dhe për më shumë tenton ta kufizojë atë.

Ajo që është e rëndësishme në një demokraci është fakti që duhet të jetë gjithmonë e hapur mundësia që qeveria të japë dorëheqje pa shkaktuar gjakderdhje, kur ata që qeverisin degjenerojnë nga misioni i detyrave dhe të drejtave që ju janë besuar, por edhe kur politika e qeverisë gjykohet e keqe apo e gabuar.
 

Exit mobile version