Kompania Relativity Space dërgoi atë që e quan “raketa e parë në botë e printuar me 3D” drejt hapësirës të mërkurën, duke e ‘hedhur’ atë në kufijtë e sipërm të atmosferës.
Megjithatë, ajo pësoi një problem me motorin pas nisjes dhe nuk arriti të arrijë në orbitë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Terran 1”, 33,5 metra, e projektuar për të dërguar satelitë të lehtë në hapësirën orbitale, u ngrit nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në bregun lindor të Floridës.
Pasi faza e parë e raketës – pjesa më e poshtme e raketës që jep shtytjen fillestare në ngritjen – harxhoi karburantin e saj, ajo u shkëput nga faza e sipërme e raketës.
Por motori që synonte ta shtynte atë pjesë dukej se ndizej vetëm për një kohë të shkurtër, duke e lënë raketën pa fuqi të mjaftueshme për të arritur në orbitë.
Ajo nuk mbante ndonjë satelit klient, siç do të jetë rasti me lëshimet e ardhshme të raketave të kompanisë.
Kompania kishte synuar të niste raketën e saj nga toka më herët në mars, por dy përpjekjet e mëparshme të lëshimit u anuluan për shkak të disa pengesave, përfshirë motin e keq. /Telegrafi/