Telegrafi

Çfarë ndodhi në qiell mbi Japoni, fluturoi me shpejtësi rrufeje – ekspertët thonë se bëhet fjalë për shpërthim meteori

Një “top zjarri” misterioz fluturoi nëpër qiell mbi Japoni dhe banorët dëgjuan një shpërthim të fuqishëm pas kalimit të tij, raportojnë mediat e atjeshme.

“Topi i zjarrit” që fluturoi në qiell mëngjesin e së hënës mund të jetë një meteor dhe sipas raportimeve dhe komenteve të ekspertëve, spektakli qiellor është vërejtur në zonat lindore dhe verilindore, transmeton Telegrafi.

Daichi Fuji, kuratori i muzeut të historisë në Hiratsuka ishte ndër të parët që dha një përshkrim të ngjarjes.

Ai ka postuar një video të kësaj paraqitjeje të shpejtë në qiell në rrjetet sociale.

Fuji vuri në dukje se pamjet janë marrë nga shtëpia e tij në Hiratsuka dhe një tjetër në prefekturën fqinje Shizuoka.

Sipas analizave të tij, “topi i zjarrit” lëvizte me shpejtësi 42.4 kilometra në sekondë, duke zbritur nga gjiri Sagami në prefekturën e Nagano.

Dikur më vonë, dolën raporte nga zona të ndryshme, me banorët që pretendonin se kishin dëgjuar një tingull të ngjashëm me një shpërthim, që ndoshta sugjeronte një përplasje meteori, siç tha kuratori i muzeut.

Ky fenomen, i njohur si bum zanor, tregon valën goditëse të një topi zjarri. Ndërsa meteori depërton në atmosferën e Tokës, ai nxehet dhe avullohet nga fërkimi me ajrin. Ky ndërveprim rezulton në një shkëlqim dhe shpesh një bum të dëgjueshëm dhe kontribuon në pamjen e përgjithshme “të zjarrit”. /Telegrafi/