Episodi i parë i serialit më të ri të quajtur Rrushe, u lansua të dielën në mbrëmje, duke marrë menjëherë reagime shumë të mira nga publiku dhe komuniteti artistik. Por, çfarë ndodhi në episodin e parë, me cilët personazhe u njoftuam dhe çfarë mund të presim nga ky serial?
Seriali dramë-krim i prodhuar nga GjirafaStudios, Rrushe, filloi rrugëtimin këtë të diel, ku ndodhitë e shumta nuk munguan. Duke ditur që episodet e para të serialeve i kushtohen më shumë njoftimit me personazhet kryesore dhe me botën e serialit, Rrushe e arriti pikërisht këtë, por duke ia shtuar edhe një incident dramatik, i cili duket se do të krijojë kaos në episodat në vazhdim.
Familja Pirulli gjendet në epiqendër të ngjarjes, me vajzën e madhe të familjes, Vesa Pirullin, të luajtur nga aktorja Doresa Rexha. Vesa është një gazetare hulumtuese, me ambicie të mëdha e pasion për punën e saj. Në jetën e saj ajo rrethohet nga njerëzit më të afërt, familjen, të përbërë nga babai, Mentor Pirulli (Shkumbin Istrefi), një udhëheqës në televizion, nëna Merita Pirulli (Aurita Agushi), profesoreshë arti, vëllai Armend Pirulli (Andi Bajgora) dhe motra e vogël Blerta Pirulli (Ema Koxha). Edhepse në shikim të parë kjo familje duket e lumtur dhe e dashur, seriali fillon të futet në jeta private e tyre, ku shihen se çdonjëri ka problemet dhe sfidat e tyre me të cilat ballafaqohen çdo ditë.
Megjithatë, Vesa gjen lumturi nga momentet e vogla, qoftë një batutë me shoqen e saj Dinorën (Qendresa Jashari), apo një kafe në lokal të Dinit (Labinot Raci). Për Vesën, dita dukej e mirë, i kishte blerë nënës dhuratën e ditëlindjes, artikulli po i publikohej, e në shtëpi e priste një festë e dashur familjare. Por, gjithçka ndryshon, kur një incident i krijuar nga persona të panjohur, i vie Vesës tek dera e shtëpisë dhe futet në jetën e saj.
Rrushe shfaqet çdo të diel, nga ora 20:00 në T7 dhe nga ora 21:00 në gjirafaVideo.
Episodin e parë të serialit Rrushe mund ta ndiqni më poshtë.