Ndoshta synimi juaj për këtë vit është ta lini duhanin, por që assesi nuk po mund ta bëni këtë.
Por, do të përpiqemi t’ju ndihmojmë!
Nëse e lini duhanin, ju do ta shijoni më shumë ushqimin, forma fizike do t’ju përmirësohet, lëkura dhe dhëmbët do t’ju përmirësohen, nivelet e pjellorisë do të rriten, ndërsa duke mos shpenzuar para më në cigare, ju do të pasuroheni, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu do ta minimizoni rrezikun e kancerit dhe miqtë tuaj nuk do të jenë të rrezikuar nga tymi juaj.
Edhe shkenca tregon se është e vështirë lënia e duhanit, pasi që nikotina krijon varësi dhe simptomat e lënies së duhanit janë të pakënaqshme.
Por këto simptoma të pakënaqshme, gjithmonë vijnë me përfitime të shumta.
Sipas ekspertëve, këto janë përfitimet e lënies së duhanit që nga momenti kur e lini duhanin:
Pas 20 minutave – ritmi i zemrës i rikthehet normalitetit
Pas tetë orëve – Nivelet e nikotinës dhe monoksidit të karbonit në gjak reduktohen thuajse përgjysmë. Nivelet e oksigjenit i rikthehen normales, ndërsa njëkohësisht fillojnë momentet e simptomave të pakënaqshme.
Pas 24 orëve – nivelet tuaja të stresit dhe ankthit arrijnë majën si pasojë e lënies së duhanit.
Pas 48 orëve – Monoksidi i karbonit largohet nga trupi, ndërsa mushkëritë fillojnë ta heqin mukozën dhe copërat e ndryshme. Nikotina largohet, ndërkaq shqisat e shijes dhe nuhatjes iu përmirësohen.
Pas 72 orëve – Frymëmarrja bëhet proces më i lehtë për ju. Nivelet e energjisë rriten.
Pas 2-12 javëve – Qarkullimi i gjakut iu përmirësohet. Tani gati i keni kaluar të gjitha simptomat e këqija të lënies së duhanit, por mund të keni koll pasi që mushkëritë janë duke u pastruar.
Pas 3-9 muajve – Ju kolliteni më pak dhe keni më rrallë probleme me frymëmarrje. Funksioni i mushkërive iu rritet për mbi 10 për qind.
Pas 1 viti – Rreziku i shumicës së sëmundjeve iu përgjysmohet krahasuar me një duhanpirës.
Pas 10 viteve – rreziku i kancerit të mushkërive përgjysmohet krahasuar me një duhanpirës.
Pas 15 viteve – Rreziku i sulmit të zemrës bie në nivel të njëjtë me atë të një personi që asnjëherë nuk ka pirë duhan.
Mund të jetë rrugë e gjatë, por destinacioni është i mrekullueshëm! /Telegrafi/