Site icon Telegrafi

Çfarë ndodh nëse fillon lufta, 60 për qind e shqiptarëve të gatshëm të luftojnë sipas anketimit të Gallup

Një në dy të rritur në mbarë botën deklarojnë se do të luftonin për vendin e tyre nëse do të kishte një luftë, një i tretë jo, dhe të tjerët nuk janë të sigurt, sipas një ankete të fundit të publikuar nga Gallup International.

Duket se vullneti për të luftuar është ulur pas shpërthimit të disa konflikteve në vitet e fundit. Në vitin 2014, për shembull, kur dëshmuam aneksimin e Krimesë nga Federata Ruse, qëndrimet për të njëjtën çështje në mbarë botën ishin 61 për qind të gatshëm për të luftuar dhe 27 për qind me mendim të kundërt.

Ndërkohë në raportin e vitit 2023, vetëm 52 për qind e të anketuarve në të gjithë botën janë të gatshëm të luftojnë kundrejt 33 për qind që thonë jo.

Lexo po ashtu “A do të luftonit nëse në vendin tuaj do të ketë luftë” – 79 për qind e kosovarëve shprehen të gatshëm

Statistika ka edhe për Shqipërinë se cila rezulton mbi mesataren botërore me 60 për qind e të pyeturve që janë të gatshëm të luftojnë nëse vendi përfshihet në luftë, ndërkohë 28 për qind nuk do të luftonin dhe 12 për qind nuk janë të sigurt.

Nga të dhënat e bëra publike nga Gallup për disa nga vender e rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova del me përqindjen më të lartë se Shqipëria të personave të gatshëm për të luftuar me 79 për qind, e ndjekur nga Bosnia me 40 për qind, Serbia me 36 për qind, deh Maqedonia e Veriut me 34 për qind.

Për sa i përket vendeve individuale, ato më të gatshmet (përgjigjet “po”) për të luftuar përfshijnë Armeninë (96%), Arabinë Saudite (94%), Azerbajxhanin (88%), Pakistanin (86%) dhe Gjeorgjinë (83%). Ata më pak të gatshëm (përgjigjet “jo”) janë Italia (78%), Austria (62%), Gjermania (57%), Nigeria (54%) dhe Spanja (53%).

Anketa është realizuar në 45 vende në botë, ndërsa janë intervistuar gjithsej 46.138 persona, nëpërmjet telefonit, online si dhe fizikisht, në periudhën prej tetorit deri në dhjetor 2023. Marzha e gabimit për anketën është midis +3-5% në nivelin 95% të besimit. /Telegrafi/

Exit mobile version