Site icon Telegrafi

Çfarë na tregon poshtërimi në Shtëpinë e Bardhë?

Nga: Andrey Kurkov, shkrimtar i njohur ukrainas / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në Kiev moti po ngrohet. Temperatura është rritur nga minus pesë në katër gradë celsius. Ndonjëherë, dielli del mes hapësirave të reve, por banorët e Kievit nuk gjejnë ndonjë ngushëllim te rrezet e tij. Ata nuk po presin shenjat e pranverës, si zakonisht në këtë periudhë të vitit. Atmosfera në qytet dhe në mbarë vendin ka qenë e mbushur me një nervozë pritjeje. Kjo nuk ishte pritja e përfundimit të veprimeve ushtarake apo e nënshkrimit të ndonjë traktati paqeje me Rusinë – asgjë kaq konkrete. Në fakt, nuk ishte e qartë se çfarë po prisnim, por diçka lidhej me Donald Trumpin dhe ndryshimin e politikës amerikane ndaj Ukrainës.

Qartësia u shfaq sot në teatrin makabër të Shtëpisë së Bardhë: shtrëngime duarsh, një gisht lart dhe disa grushta në ajër nga presidenti amerikan, përpara se Trumpi të ulej përkrah Volodymyr Zelenskyyt për të diskutuar një marrëveshje të tipit të mineraleve në këmbim të mbështetjes ushtarake dhe për ta poshtëruar atë. Ndërkohë, sirenat e sulmeve ajrore po binin në Ukrainën veriore dhe lindore. Së shpejti, bisedimet përfunduan dhe Zelenskyy u largua.

Ajo që pasoi, përpara kamerave televizive, ishte rrëqethëse, e jashtëzakonshme. Zelenskyy, i zymtë, i zemëruar, i dëshpëruar – siç i takon një lideri që detyrohet të shesë të drejtën e tij të lindjes për ekzistencë. Trumpi, duke pretenduar se është ndërmjetës i paanshëm, deklaroi: “Nuk jam me askënd. Jam me botën”. Ji mirënjohës, i thotë një burri që ka parë popullin e tij të vritet, territorin e tij të pushtohet dhe të rrethohet. “Bëj një marrëveshje ose ne largohemi”.

U bë edhe më keq. Zelenskyy ia tregoi atij fotot e mizorive të luftës. “Mendoj se presidenti Trump është në anën tonë”, tha ai, pa ndonjë shpresë të vërtetë dhe sigurisht pa pritshmëri që kjo të ishte e vërtetë. Zëvendëspresidenti JD Vance e akuzoi Zelenskyyn për mungesë respekti. Si Trumpi ashtu edhe Vancei e sulmuan atë verbalisht përpara kamerave, sepse ky është arti i marrëveshjes tani: një lojë e paracaktuar, e ashpër, e pamëshirshme dhe pa ndjenja.

Por, në fakt, besimi i ukrainasve se Trumpi kishte një plan konkret për t’i dhënë fund luftës ishte zëvendësuar tashmë nga bindja se presidenti nuk kishte një të tillë – por, përkundrazi, kishte shumë ide të ndryshme për përfshirjen e ShBA-së në rajon – ide që shpesh lidhen me Ukrainën, por nganjëherë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe kurrë nuk përqendrohen në mbështetjen e një vendi që është viktimë e agresionit rus.

Gjatë dy javëve të fundit, kemi parë se si çështja e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë është shndërruar në çështjen e nxjerrjes së metaleve të rralla në vendin tonë. Siç rezultoi, në Arabinë Saudite, pjesëmarrësit në negociatat Rusi-ShBA diskutuan gjithashtu për nxjerrjen e metaleve të rralla, por ata u përqendruan në burimet në territoret ruse dhe ato të pushtuara të Ukrainës. Këto metale të rralla kanë spostuar temën e luftës dhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën nga hapësira mediatike. Ajo hapësirë tani është e mbushur me dollarë.

Të moshuarit ukrainas, të cilët u rritën në Bashkimin Sovjetik, kanë njohur në këtë situatë imazhin e ShBA-së që u paraqitej në karikaturat propagandistike sovjetike: një komb kapitalistësh të babëzitur, të papërgjegjshëm, që grabisin çdo gjë që mundin, duke shpërfillur problemet e ndërlikuara dhe me shikim vetëm te fitimet marramendëse në dollarë.

Kjo është një luftë ekzistenciale dhe një realitet i ri. Trumpi thotë se Zelenskyy “nuk është gati për paqe”, por Ukraina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë të luftojë, pavarësisht kostos. Ndihma që më parë i jepej falas, tani duhet të blihet. Nëse nuk ka para, atëherë është e nevojshme të paguhet me burime natyrore. Pas tre vitesh agresioni të plotë rus, interesat gjeopolitike të ShBA-së në Ukrainë janë zëvendësuar nga interesat financiare. Në vend të presidentit politikan, Joe Biden, në skenë ka hyrë presidenti biznesmen, Donald Trump.

Duhet pasur parasysh se propozimi amerikan për nxjerrjen e metaleve të rralla në Ukrainë, nëse realizohet, do t’i lejonte ShBA-së të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme me Rusinë dhe të niste shfrytëzimin e burimeve pa pritur përfundimin e armiqësive. Koncepti është një “fond investimesh”, i menaxhuar nga ShBA-ja dhe Ukraina në “kushte të barabarta”, ku Ukraina do të kontribuonte me 50 për qind të të ardhurave të ardhshme nga burimet minerale shtetërore, nafta dhe gazi, “për të promovuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ukrainës”. Trumpi këmbëngul se kjo është një marrëveshje “shumë e drejtë”.

A do ta inkurajonte një marrëveshje e tillë Rusinë të ndalonte agresionin e saj? Jo! A përmban ajo garanci sigurie për Ukrainën? Duket se jo. A ka Ukraina ndonjë zgjedhje? Një çështje e diskutueshme.

Në këtë situatë, Britania dhe Bashkimi Evropian bëhen partnerë shumë më të rëndësishëm për Ukrainën sesa më parë. Ndërsa organizon qasjen e favorshme të ShBA-së në burimet e Ukrainës, Trumpi shpreson t’ia kalojë Evropës dhe Britanisë përgjegjësinë për sigurinë e Ukrainës, në rast të një armëpushimi, si dhe përgjegjësinë për ndihmën e mëtejshme ushtarake. Duke marrë parasysh këtë, nuk është aspak e qartë se çfarë përparësie do t’i sillte Ukrainës një marrëveshje e tillë mbi metalet e rralla.

Nuk qëndrojnë pretendimet e Trumpit se nxjerrja e burimeve nga ShBA-ja, në territorin ukrainas, do të jetë një garanci e mjaftueshme për sigurinë e Ukrainës, me argumentin se Rusia nuk do të rrezikojë të sulmojë interesat ekonomike amerikane. Korporata shtetërore kineze COFCO investoi në një kompleks të ri për përpunimin e grurit dhe naftës në portin e Mikolaivit, por përfshirja kineze nuk e mbrojti portin nga raketat ruse. Ai ka qenë jashtë funksionit që nga marsi 2022, dhe rajoni po humbet rreth 40 për qind të të ardhurave.

Thotë gjithçka fakti që Trumpi është treguar kaq lavdërues ndaj Vladimir Putinit dhe kaq armiqësor ndaj Zelenskyyt. “Mendoj se ai do të mbajë fjalën e vet”, siguroi Trump botën. “E njoh prej kohësh”. Deklarata e tij se paqja do të arrihet “shumë shpejt ose nuk do të ndodhë fare”, tregon se ai nuk do të harxhojë shumë kohë në negociatat me Putinin, nëse ato zvarriten ose nëse Rusia vendos kushte të papranueshme për Ukrainën. Disa kushte janë bërë tashmë publike nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili na kujtoi se Rusia ende synon të pushtojë plotësisht rajonet Herson dhe Zaporizhia.

Zelenskyy ishte i guximshëm, por tani jemi ata që lutim. Trumpi dhe Kremlini e kanë bërë të qartë se pjesëmarrja e Ukrainës në këto negociata mes ShBA-së dhe Rusisë nuk është as e nevojshme, as e dëshiruar. Si shumë gjëra të tjera, parimi i shpallur nga Bideni, “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, është shkelur brutalisht. Zelenskyy u thirr në Shtëpinë e Bardhë për të firmosur, por jo për të folur.

Trumpi e ka arritur qëllimin e vet. Ai e ka shndërruar Ukrainën nga një subjekt në një objekt, dhe pas këtij poshtërimi në Shtëpinë e Bardhë, disa ukrainas janë të bindur se shfrytëzimi i metaleve të rralla, sipas kushteve të Trumpit, do ta kthente vendin tonë në një “koloni” të ShBA-së. Megjithatë, shumë ukrainas do të preferonin të jetonin në një koloni amerikane sesa në një ruse – nëse kjo është zgjedhja. /Telegrafi/

 

Exit mobile version