Telegrafi

Çfarë na pret në ‘Sunny Hill 2024’ – Tri skena, lokacion i ri dhe artistë botërorë që po vijnë në Prishtinë

Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Në prag të edicionit të tij të ardhshëm, Sunny Hill Festival – festivali më i madh muzikor në Kosovë – është gati të sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme në Prishtinë nga data 25 deri më 28 korrik.

Me një histori të pasur të promovimit të muzikës dhe kulturës bashkëkohore, ky festival jo vetëm që ka tërhequr artistë të njohur ndërkombëtarë, por gjithashtu ka krijuar një platformë të fuqishme për talentet lokale.

Në një intervistë për Telegrafin, Alban Kastrati, nga ekipi i Sunny Hill Festival, ka ndarë detajet dhe risitë e këtij edicioni të katërt të festivalit tashmë më të madh në vend, por jo vetëm.

Biletat dhe lokacioni i ri

Foto: Sunny Hill Festival/Instagram

“Shitja e biletave po vazhdon”, tha Kastrati. “Ne ende jemi duke shitur bileta të festivalit të gjitha llojeve, dhe llojet e rregullta dhe ato të VIP-së”.

Një ndër risitë kryesore të këtij edicioni është ndërrimi i lokacionit. “Është një edicion shumë interesant, sepse po e ndërrojmë lokacionin. Dalim në një park të festivalit, në shtëpinë tonë të përhershme”, zbuloi ai. Lokacioni i ri është në Bërnicë e Poshtme, në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, një hapësirë që është shumë afër kryeqytetit dhe e dedikuar për një ngjarje të tillë.

Skemat dhe Programi

Alban Kastrati (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Këtë vit, festivali do të ketë një strukturë të përmirësuar me tre skena kryesore.

“Këtë edicion e kemi shumëfishu në krejt aspektin, domethënë ne e kemi dyfishuar hapësirën dhe numrin e skenave. Kemi dy skena të mëdha kryesore”, tha Kastrati.

Skena kryesore do të ketë muzikë me zhanre të ndryshme sipas netëve, ndërsa skena e dytë do të fokusohet tek muzika elektronike dhe do të vazhdojë nga mbrëmja deri në mëngjes. Një skenë e tretë do të jetë aktive gjatë ditës, duke ofruar një përvojë të plotë për të pranishmit gjatë gjithë ditës dhe natës.

Transporti dhe Siguria

Alban Kastrati gjatë intervistës për Telegrafin (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Për të lehtësuar transportin, janë bërë marrëveshje të posaçme me Trafikun Urban të Prishtinës. “Do të kemi linja të rregullta dhe të dedikuara për Sunny Hill Festival”, theksoi Kastrati.

“Autobusët do të marrin dhe do të çojnë në festival çdo pesëmbëdhjetë-njëzet minuta nga pika të ndryshme të qytetit, si Dardania dhe Qendra”, shtoi ai.

Siguria është një prioritet kryesor për organizatorët. “Çështja e sigurisë është shumë e rëndësishme për neve”, tha Kastrati. “Kemi punuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe të gjitha njësitë e saj për të siguruar që siguria publike dhe kolektive të jetë në radhë të parë”.

Artistët dhe ekipi

Dua Lipa gjatë performancës së saj në festivalin “Sunny Hill” në vitin 2022 (Foto: Sunny Hill Festival/Instagram)

Kastrati gjithashtu zbuloi disa detaje rreth artistëve që do të performojnë këtë vit. “Së fundmi kemi zbuluar edhe një grup të madh të artistëve vendorë”, tha ai, duke shtuar se ende ka shumë të tjerë që nuk janë publikuar por që do të publikohen së shpejti. Për natën e parë të zhanrit pop, festivali ka një headliner dhe një akt hapës paralajmërues për headlinerin e asaj nate.

Festivali gjithashtu pritet të ketë surpriza dhe befasi të këndshme që audienca ndoshta nuk i ka pritur.

“Duan e kemi promotoren më të madhe të festivalit Sunny Hill”, tha Kastrati, duke shpjeguar se edhe pse nuk është e garantuar që çdo vit të ketë performanca nga ylli kryesor i festivalit, përpjekjet për të sjellë emra të mëdhenj janë gjithmonë në plan.

Ndikimi global

Alban Kastrati (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Çdo edicion i Sunny Hill Festival bën që në Prishtinë të mblidhen njerëz nga e gjithë bota.

“Çdo edicion ndodh që ne habitemi nga njerëzit që vijnë”, tha Kastrati, duke përmendur se kanë pasur pjesëmarrës nga Zelanda, Australia, Brazili, Meksika dhe shumë vende të tjera. “Megjithatë, shumica e pjesëmarrësve vijnë nga Zvicra, Gjermania, Amerika dhe vendet ku jeton diaspora shqiptare”.

Festivali Sunny Hill vazhdon të jetë një ngjarje e rëndësishme që jo vetëm sjell artistë të njohur ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe promovon kulturën dhe muzikën shqiptare në mbarë botën. /Telegrafi/