Urim Bina
Bitcoin Cash! Pritet monedha e re që do të ndahet nga Bitcoini. Çka duhet të bëjnë ata që zotërojnë Bitcoinin dhe çka duhet të dimë se do mund të ndodh nga data 1 gusht e këtij viti?
Kohëve të fundit është shtuar popullariteti i valutave digjitale (apo kripto-valutave) në Kosovë. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 kanë hyrë në Kosovë kartela grafike – në mënyrë legale – me vlerë prej 800 mijë eurove. Këto kartela përdoren për të bërë mihjen (mining) e valutave digjitale.
Fitimi që sjellin këto valuta po bëhet çdo ditë e më atraktiv, sidomos vitin e fundit ku rritja e vlerës së tyre është shumëfishuar në mënyrë tepër të shpejt.
Joshja nga fitimi që kanë sjell këto valuta, kanë intriguar shumë njerëz të cilët janë në një konfuzion të madh se çka janë kripto-valutat, si funksionojnë dhe për çka shërbejnë?! Por, prapë dëshirojnë të investojnë në to.
Kësaj radhe po merremi me një problem aktual që do të ndodhë me 1 gusht.
Meqë Bitcoin është valuta e pare dhe pionier i kësaj teknologjie, natyrisht se ka gëzuar popullaritetin më të madh dhe vlerën më të madhe e cila në momentin e shkrimit te këtij artikulli është diku 2700 dollarë.
Por, a është gjithçka perfekt?
Duke u munduar t’i thjeshtësojmë gjërat e të mos hymë në detaje shume teknike, problemi është pak a shumë ky: për shkak të rritjes së madhe, mënyra se siç është projektuar në fillim Bitcoini, kohëve të fundit është duke hasur ne probleme. Problemi kryesor është vonesa e transaksioneve dhe rritja e kostos së transaksionit.
Mos përballimi i numrit të madh të transaksioneve vjen për shkak të madhësisë së bllokut që është vetëm një megabajt (1MB). Rritja e bllokut i ka shtyrë në dilemë të madhe zhvilluesit softuerik dhe “mihësit”. Që të rritet madhësia e bllokut në 2MB, në 4MB apo në 8MB, duhet të ndodh një fenomen i quajtur “Hard Fork”. Kjo nënkupton që në momentin kur ndodh ky ndryshim, “mihësit” (miners) kanë mundësinë të zgjedhin ta përkrahin ose jo. Nëse shumica (mbi 51 për qind) e përkrah, atëherë do të vazhdohet me këtë “blockchain” të ri, ndërkohë që anëtarët që nuk e kanë përkrahur njëkohësisht vazhdojnë te funksionojnë, por transaksionet e tyre do të jenë invalide në “blockchainin” e ri. Kështu, do te krijohen dy “blockchain” paralelë për çka rrjedhimisht do të dalë një valutë tjetër që do të funksionojë në atë “blockchain”.
Për të evituar këtë, zhvilluesit e Bitcoini kanë propozuar një përmirësim softuerik (Soft Fork) i cili nuk do ta ndajë Bitcoinin në dy grupe dhe që do të jetë madhësia e njëjte e bllokut (1MB), por me disa ndryshime strukturalë që do te ndihmojnë në kapacitet më të madh të transaksioneve brenda bllokut. Ky ndryshim është quajtur SegWit (Segregated Whitness) që do të ndodhë në javën e parë të gushtit. Më vonë do të pasohet me SegWit 2x pas tre muajve që do të dyfishojë bllokun në 2MB. Por, ka shumë skeptikë që dyshojnë se implementimi i këtyre ndryshimeve do të hasë në probleme teknike.
Çka është monedha e re Bitcoin Cash?
Një grup i zhvilluesve të përkrahur nga disa kompani (pool) të mëdha të “mihësve” nuk janë të kënaqur me SegWit dhe SegWit 2x. Ata përkrahin “Hard Fork”, ndryshime tjera në “blockchain” që do të adresojnë disa probleme me përmirësimin e tyre dhe rritjen e memories së bllokut në 8MB. Ky grup i zhvilluesve i kryesuar nga Calin Culianu, kanë deklaruar se më 1 gusht do të ndahen nga “blockchaini” kryesor.
Implementimi i këtyre ndryshimeve do të krijojë një monedhë të re të cilën ky grup e ka quajtur Bitcoin Cash. BitcoinABC është softueri i parë i cili do të implementohet në protokollin e monedhës se re Bitcoin Cash.
Pasi që historia e të gjitha transaksioneve do të jetë e vlefshme në të dy “blockchainet”, çdo kush që ka zotëruar një numër të caktuar të Bitcoinave, nga data 1 gusht do të zotërojë po të njëjtin numër të BitcoinCash (falas), por që nga ai moment këto dy valuta do të funksionojnë të ndara dhe do të kenë vlera të ndryshme.
Çfarë duhet të bëjnë ata që zotërojnë Bitcoin me datën 1 gusht?
Ata që zotërojnë Bitcoin para kësaj date duhet të kujdesen që t’i kenë “private keys” në “walletat” (kuleta digjitale) e tyre te siguruar dhe mundësisht në datën 1 gusht të mos bëjnë ndonjë transaksion. Gjithashtu shumica e shkëmbyesve kanë deklaruar se në fillim nuk do të mbështesin Bitcoin Cash, por me kalimin e kohës ata që i mbajnë Bitcoinet e tyre në “third party wallet” (kuletat digjitale të palës së tretë) apo në exchange (shkëmbim) duhet t’i tërheqin para datës 1 gusht sepse nuk do t’i ndahet e njëjta sasi me Bitcoin Cash.
A ekziston ndonjë rrezik?
Nuk parashikohet ndonjë rrezik i madh edhe pse do të dalë një monedhë e re. Në anën tjetër pritet që SegWit të implementohet pa ndonjë problem të madh. Në tregun e kripto-valutave ekziston vazhdimisht një dozë e riskut, ndaj këto ndryshime mund të rrisin vlerën e Bitcoinit apo ta zvogëlojnë atë.
Një informacion që vlen të ceket është se paraprakisht vlera e Bitcoin Cash, akoma pa dal në treg, po tregtohet vetëm në formën e ‘futures’ dhe ka arritur vlerën mbi 400 dollarë. Ky duket një fitim i mirëseardhur për ata që kanë Bitcoin, sepse të njëjtin numër të Bitcoin Cash do ta kenë në pronësi.