Telegrafi

Çfarë mësuam nga rrëfimi i spiunazhit në Uzinën e Gramshit?

Ngjarja me 2-3 rusë apo ruso-ukrainas të ndaluar në Uzinën e Armatimeve të Gramshit, ishte sa e çuditshme aq edhe interesante. Ajo ngjarje pa dashje na hapi një front të ri të këndvështrimit të gjërave. Papritur, kjo ngjarje i kujtoi publikut një gjë të thjeshtë: Evropa është në luftë, ne jemi në luftë dhe luftën mund ta kemi tek dera e shtëpisë!

Ndonëse sjellja jonë me këtë fakt është si tek ai filmi i Hollivudit me Leonardo Di Caprio me titullin “Don’t look Up”, ku njerëzit vazhdonin jetën normale pa e vrarë mendjen se një meteorit po vinte drejt Tokës për ta shkatërruar, sërish kjo ngjarje na zbuloi disa të vërteta të dhimbshme.

E para, mjaftojnë tre civilë me sprej neutralizues nervash për të na plagosur dy roje të një vendi të NATO-s.

E dyta, depot dhe uzinat tona janë në pikë të hallit, mjafton një blogere ruse për të na nxjerrë bojën.

E treta, pavarësisht se prej tre ditëve endeshin nëpër Gramsh tre shtetas të huaj që rrotulloheshin rreth të vetmes nga tri fabrikat ushtarake që kemi e që akoma prodhon ndonjë gjë, askush – qoftë edhe një polic i thjeshtë bashkiak – s’patì kuriozitet të interesohej çfarë janë këta njerëz, qofshin dhe turistë a mos kanë vallë ndonjë nevojë për ndihmë?

Një nga hakerët më me emër rus në Evropë shëtiste prej ditësh nëpër Shqipëri dhe asnjë sistem sigurie i vendit nuk kishte vënë sinjal alarmi për këtë njeri, as kur kaluan kufirin, as kur u regjistruan në RBB për të fjetur, as kur postonin nëpër Instagram e rrjete sociale “objektet strategjike” të Republikës së Shqipërisë. Madje, po të mos ishte për një hetim të hollësishëm nëpër rrjet nga ana e Infoweb-it, akoma ky haker me emër të madh në ushtrinë hakërreve rusë do ishte thjesht një turist rus i dyshuar për spiunazh.

E katërta, po sikur këta të ishin një njësi speciale e vërtetë e shërbimit sekret rus e të donin të hakmerreshin për vdekjen e atyre katër rusëve në Qerret tetorin e shkuar e të donin të hidhnin në erë hidrocentralin e Banjës në Gramsh, duke përmbytur gjithë Shqipërinë, kur do e merrnim vesh?

E pesta, pas atij skandali të madh me të dhënat personale në Shqipëri dhe pas faktit që u bë tre muaj që e-Albania nuk funksionon, a ka shkuar ndonjëri në burg qoftë edhe për një sens dinjiteti ndaj shtetit, në mënyrë që sot dhe rusët e dyshuar për spiunë të kuptonin se para se të vinin për punët e tyre në Shqipëri, të mos mendonin se ky vend nuk është han pa porta?!

E gjashta, forcat politike në vend, sidomos ato parlamentare, kaq të pavend e panë të prishnin një ditë pushimet e të shkonin në Komisionin e Sigurisë të Parlamentit e të sqaronin qytetarët e tyre të cilët i kanë votuar, se ky vend ka zot?!

E shtata, media e sheh këtë ngjarje si ato kronikat rozë të verës me “blogere” instagrami; jemi në luftë të dashur kolege, në luftë reale; duhet seriozitet.

E teta, kjo ngjarje na mësoi se ne që destabilizohemi nga tre civilë me sprej kundra syve, po në një rast lufte të vërtetë ku do futemi?

E nënta, na mësoi dhe një tjetër të rëndësishme se në këtë vend realisht nuk e vret mendjen për një gjë të tillë të rëndësishme dhe jemi në duart e Zotit.

E fundit, por jo nga rëndësia, ka ardhur koha që dikush ta marrë seriozisht çështjen e forcimit të shtetit. Nuk mjafton parulla “Shqipëri mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”.