Real Madridi mori një fitore të lehtë pasditen e së dielës, duke triumfuar me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Leganesit.
Kjo fitore e madrilenëve bëri që distanca me Barcelonën të ngushtohet në vetëm katër pikë, ndërsa nëse ata fitojnë ndeshjen e mbetur ndaj Valencias, dallimi mes dy ekipeve do të ishte vetëm një pikë.
Si rrallëherë këtë sezon, Carlo Ancelotti vendosi që t’ia besojë fanellën e titullarit sensacionit turk Arda Guler.
‘Los Blancos’ ndonëse fituan me golat e Kylian Mbappe, Federico Valverde dhe Jude Bellingham, edhe Gulet luajti një rol po aq të madh në këtë fitore.
19-vjeçari u pa shumë aktiv gjatë lojës me driblime në hapësira të ngushta, gjuajtje në drejtim të portës dhe angazhim në fazën defanzive.
Kjo bëri që ai të marrë shumë lëvdata pas përfundimit të ndeshjes, ku në mesin e tyre ishte edhe ajo e ish-legjendës së klubit, Guti Hernandez i cili dha opinionin e tij për DAZN.
“Arda Guler? Çfarë lojtari”, ishte shkurtimisht përgjigja e ish-mesfushorit spanjoll i cili ka mbetur i mahnitur nga kualitetet e reprezentuesit turk.
Real Madrid do të rikthehet në aksion në mesjavë, ku do të luajnë në udhëtim ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve dhe Guler pritet që të ketë minutat e tij./Telegrafi/