Site icon Telegrafi

Çfarë lloj regjimi ka Kina?

Për të kuptuar se si Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore duhet të sillen me Kinën në vitet në vijim, duhet të kuptojmë se me çfarë shoqërie kemi të bëjmë. Kjo dije duhet të burojë si nga historia kineze ashtu edhe nga veprimet e kohës së fundit.

Duhet të ndajmë këtë diskutim nga zhurma që u krijua nga përkeqësimi i marrëdhënieve ShBA-Kinë. Duke provuar të devijojë vëmendjen nga menaxhimi i dobët i krizës së Covid-19-sshit, administrata e Trumpit pa nevojë ka qenë provokuese në qëndrimin e saj ndaj Kinës, duke ngulmuar, për shembull, që Covid-19 të quhet “Virusi i Wuhanit.” Kjo nuk është qasje serioze ndaj politikave dhe duhet të zëvendësohet me një vlerësim më gjakftohtë të gjendjes në të cilën jemi.

Si shoqëri, Kina ka njërën prej historive më të gjata e të vazhdueshme në botë, me ç’rast ka një numër të vazhdimësive mes dinastive të saj. Teksa shumë vëzhgues perëndimorë e njohin historinë e Kinës së para shekullit XX, dija e tyre zakonisht shtrihet vetëm deri te Dinastia e fundit Qing, kur vendi ishte nën sundimin e një regjimi të huaj në shthurje.

Kina qe qytetërimi i parë botëror që krijoi shtet modern. Me modern nënkuptoj një shtet që qe i paanshëm në trajtimin e qytetarëve të vet. Shumë prej shteteve të hershme të cilët Max Weber i etiketoi “patrimoniale” – d.m.th., shtet që u formua nga oborri i sundimtarit dhe që varej nga marrëdhëniet personale mes sundimtarit dhe miqve e familjarëve të tij. Ndërkaq, shteti i paanshëm është i centralizuar, burokratik, operon sipas rregullave dhe nuk qeveriset sipas tekave të sundimtarit.

Shteti modern u shfaq sëpari në mbretërinë perëndimore të Qinit, e cila u bë Prusia e bashkimit kinez duke mposhtur rivalët në periudhën e Luftërave Ndërshtetërore [475-221 p.e.s.] dhe themeloi dinastinë e parë të bashkuar kineze më 221 p.e.s. Qin e krijoi një sistem të përbashkët të peshimit dhe matjeve, sistem tatimi, burokraci për ta administruar atë, dhe ndërmerr një rregullim social në shkallë të madhe. Dinastia pasardhëse Han shtoi një element të fortë konfuçian, duke theksuar nevojën që zyrtarë të arsimuar të qeverisin më të madhen perandori në botë. Ky shtet i fortë kinez nuk zhvilloi kurrë institucione kundërpeshuese të kufizimit të pushtetit, si sundimi i ligjit apo llogaridhënia demokratike, në vend të kësaj, duke u mbështetur në zbutjen e sundimtarëve përmes edukimit.

Këto institucione kanë vazhduar të karakterizojnë qeverinë kineze përgjatë më shumë se dy mijëvjeçarëve. Regjimet kineze kanë qenë të centralizuara, burokratike dhe meritokratike. Rajonet nuk u lejuan të krijojnë elitat e tyre; nuk pat diçka të ngjashme me aristokracinë e gjakut të Evropës mesjetare. Në vend të kësaj, perandori përcaktonte prefektët e pastaj i ndërronte me rotacion, për të qeverisur provincat dhe vendet në mënyrë që t’i parandalonte që të kapeshin politikisht prej elitave vendase. “Nëna Tigër” e Kinës e cila sot zbaton disiplinë të pamëshirshme ndaj fëmijëve të saj që prej Shangait në San Francisco, është jehonë kulturore e një shoqërie në të cilën suksesi në shërbimin civil përfaqësonte rrugën e qartë drejt ngjitjes në mobilitetin social.

Kjo formë e menaxhimit nga lart-poshtë, krijoi disa lloje tipike të dilemave të qeverisjes. Perandori shfrytëzonte burokratët për të sunduar vendin, por kush do të mund të kontrollonte burokratët që mund të korruptoheshin fare lehtë? Për atë arsye, përdori eunukët shtëpiakë për të kontrolluar burokratët? Por, eunukët si do të kontrolloheshin? Në dinastinë Ming, një perandor krijoi një “byro të korrigjimit të eunukëve” për të mbikëqyrur eunukët. Sot, Partia Komuniste e Kinës mbikëqyrë qeverinë; Departamenti i Organizimit i Partisë mbikëqyrë Partinë, ndërsa nën Xi Jinpingun, Komiteti Qendror për Inspektimin e Disiplinës u fuqizua për të mbikëqyrur Departamentin e Organizimit dhe spastruar tërë sistemin nga korrupsioni.

Ndonëse perandorët kinezë mund të kenë ushtruar autoritet të plotë, në praktikë pushteti i tyre ishte mjaft i kufizuar. Me një popullatë prej 60 milionësh në kohën e lindjes së Krishtit, ata sunduan në një territor të gjerë të cilin me mjetet teknologjike që dispononin nuk qenë në gjendje ta kontrollonin. Autoriteti kish nevojë të delegohej teposhtë tek provincat dhe vendet që ishin shpesh me javë larg kryeqyteteve perandorake si Chang’an apo Luoyang. Në nivelin lokal, qeverisja nuk ushtrohej nga shteti por mbetej në duart e trashëgimtarëve të familjeve të mëdha që ishin karakteristikë e shoqërisë kineze në atë kohë.

Por, ndonëse ka elemente të vazhdimësisë mes qeverisjes së Partisë Komuniste të Kinës sot dhe Kinës dinastike, ka po ashtu fusha të rëndësishme të ndryshimit. Më e rëndësishmja ka të bëjë me aspiratat e PKK-së së Xisë për të arritur nivelin e kontrollit totalitar mbi shoqërinë kineze të llojit të paparë në historinë njerëzore. Në këtë aspekt, ajo huazon më shumë prej Bashkimit Sovjetik të Stalinit se sa prej historisë së mëhershme kineze.

Në mes të shekullit XX, Carl Friedrich dhe Zbigniew Brzezinski shpikën termin “totalitar” për të karakterizuar regjimet sovjetike dhe naciste dhe për t’i veçuar ato prej diktaturave “autoritare”. Regjimet e tilla udhëhiqeshin prej një partie të disiplinuar, të gjallëruar nga një ideologji gjithëpërfshirëse, që përdornin pushtetin policor për të diktuar vullnetin e tyre, dhe kërkonin të kontrollonin aspektet më intime të qytetarëve. “Atomizimi” pasues i shoqërisë u simbolizua nga Pavel Morozov, përbindëshi i ri që u lartësua nga Stalini për shkak se i raportoi prindërit te policia sekrete. Në një “rrjedhë qarkore të pushtetit”, partia do të “shpëlante trurin” popullit aq sa të mos njiheshin zinxhirët që i robëronin.

Eksperimenti totalitar i shekullit XX dështoi përfundimisht për një varg arsyesh. Teknologjitë për kontrollin shoqëror të asaj kohe – agjitpropi, kampet e riedukimit, gulagu, mbikëqyrja e gjithanshme dhe përdorimi i informatorëve – në fund dolën të jenë të pamjaftueshëm për t’iu qepur prapa popullatës së madhe të Bashkimit Sovjetik. Rritja ekonomike dhe inovacioni kërkojnë një grimë liri personale. Por, aspirata e kamotshme totalitare – të arrijë kontrollin e tërësishëm mbi trupat dhe mendjet e popullatës së tërë – kurrë s’u shua, dhe u përcoll prej Partisë Komuniste Sovjetike tek dega e saj kineze.

Mao Zedongu u përpoq ta replikonte modelin totalitare me vegla të ngjashme, përpjekje që arriti kulmin gjatë Revolucionit Kulturor. Rojet e Kuqe fanatike që përqafonin “mendimin e Maos” u ndërsyen me zell religjioz ndaj të gjithë institucioneve të shoqërisë. Kjo përpjekje, sikurse sovjetikja, dështoi gjithashtu, dhe kostot e tmerrshme të Revolucionit Kulturor – posaçërisht të elitave që përbënin Partinë Komuniste – shtruan udhën për “rrugëtarin kapitalist” Deng Xiaping që të fillonte çmontimin e shtetit totalitar dhe zëvendësimin me një si regjim të rëndomtë autoritar.

Është e mundshme që vitet 1978-2012 të shihen me një lloj nostalgjie, meqë populli kinez kishte përjetuar për herë të parë që prej Revolucionit një shkallë të lirisë personale – liri për të blerë e shitur, për të lëvizur, shprehur mendime, për të udhëtuar jashtë vendit – që i bëri përsëri të kënaqshme krahasimet mes Kinës dinastike dhe Kinës modern. Ç’është e vërteta, intelektualëve kinezë iu dha liria për të rizbuluar historinë e tyre kombëtare dhe për të eksploruar dëmin që ju ishte shkaktuar këtyre traditave nga virusi i huaj komunist. Partia zbuti kontrollin ndaj ekonomisë dhe shtetit dhe rregulloi sjelljen e saj përmes rregullave si udhëheqësia e përbashkët, pensionimi i detyrueshëm, dhe mandatet e rregullta dhjetëvjeçare për udhëqësit më të lartë. Krahasuar me shumicën prej regjimeve tjera autoritare, Kina ishte institucionalizuar në masë të madhe.

Ajo çfarë ka ndodhur që prej emërtimit të Xi Jinpingut Sekretar i Përgjithshëm i PKK-së në Kongresin e 18të të Partisë ka qenë përpjekje për të ringjallur pjesë të modelit të vjetër maoist. Xi Jinping është “princush”, bir i një prej anëtarëve themelues të PKK-së, i cili megjithatë u dërgua “poshtë” në fshat bashkë me familjen gjatë Revolucionit Kulturor. Megjithatë, ndryshe nga elitat tjera që përjetuan këtë traumë, Xi duket se e kujton këtë periudhë me nostalgji dhe ka bërë ç’ka mundur për të rindërtuar sa të jetë e mundur modelin maoist. Partia u rifut në çdo shtresë të jetës kineze; marksizëm-leninizmi nën petkun e “mendimit të Xi Jinpingut” u rifut në Kushtetutë dhe u mësua përsëri në shkolla; pushteti policor është përdorur në masë të paimangjinueshme. Sot ka më shumë se një milion ujgurë që janë degdisur në kampe të riedukimit në Kinën Perëndimore, në orvatjen masive për të riprogramuar mendjet dhe për të zhdukur islamin nga vetëdija e tyre. Janë ringjalluar madje edhe këngët e kënduara nga Rojet e Kuqe.

Përderisa aspirata e kontrollit totalitar mbetet po ajo, ka disa dallime mes përpjekjeve të Maos dhe Xisë. “Mendimi i Xi Jinpingut” është zëvendësues i zbehtë i Librit të Kuq të Maos. Xi nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë një ideologji koherente për të frymëzuar fanatizëm tek ndjekësit e tij, përpos një nacionalizmi të përgjithshëm kinez. Ndërkaq, Xi ka në dorë mjete teknologjike që thjesht nuk ishin në dispozicion të totalitarëve të shekullit 20. Sistemi i “kreditit social” kombinon të gjitha metodat e inteligjencës artificiale, të të dhënave dhe sensorëve të kudondodhur, dhe i vë ato në duart e shtetit kinez. As Stalini as Mao nuk mund të shihnin drejtpërdrejt lëvizjet, fjalët, transaksionet e ditëpërditshme të vartësve të tyre siç ka mundësi të bëjë sot partia kineze.

Dallimi tjetër i madh mes formave të vjetra e të reja të totalitarizmit është përdorimi më i madh i Xisë i stimujve pozitivë. Stalini dhe Mao përdorën terrorin dhe detyrimin për të marrë pëlqimin me politikat e tyre. XI ka përparësinë e ekonomisë së dytë më të madhe në botë, dhe mundësitë që ofron ajo për të krijuar stimuj pozitivë për bindje ndaj regjimit. Kina e Xisë mbështetet më shumë në klasën e mesme të kënaqur se sa në fshatarësinë e tmerruar. Por, dora e rreptë e shtetit qëndron prapa çdo mundësie në dukje të pafajshme që i ofrohet qytetarëve kinezë.

Një tjetër dallim i madh mes Maos dhe Xisë ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme. Me të marrë hov Revolucioni Kulturor, Kina ishte aq shumë e preokupuar me punët e brendshme sa nuk përbënte ndonjë kërcënim serioz për botën e jashtme. Ndërsa XI ka vendosur një agjendë të jashtme ambicioze për PKK-në. Ajo synon të zhvendosë qendrën e ekonomisë botërore në Euroazi përmes “Belt and Road Initiative”, larg prej asaj transoqeanike me qendër në Shtetet e Bashkuara. Për herë të parë u definuan pretendimet për ekspansion territorial përmes krijimit dhe militarizimit të ishujve përbrenda “Vijës Nëntëshe” në Detin e Kinës Jugore. Xi ka shpallur fuqishëm qëllimin për të rimarrë Tajvanin brenda një dekade, edhe me forcë po qe nevoja. Krahasuar me periudhën para 2012, ai ka lartësuar “modelin kinez” si një që është në dispozicion për t’u eksportuar.

Megjithëse u importua nga ish Bashkimi Sovjetik, totalitarizmi nuk është pa precedent në historinë kineze. Shteti i Qin-it zhvilloi një formë të proto-totalitarizmit nën udhëheqjen e kryeministrit Shang Yangut të mbështetur në doktrinën e legalizmit dhe shkrimet e Han Feit, që mendonte se qeniet njerëzore qenë të këqija në thelb dhe mund të mbahen nën kontroll përmes kërcënimit të ndëshkimeve të ashpra. Kjo doktrinë hyri në fuqi gjatë Qin Shi Hauangdi, perandorit të parë të Kinës së bashkuar, varri i së cilit me luftëtarët prej balte në Xian vizitohet sot nga turistët. Shang Yeng vendosi precedentin e përpjekjeve masive për riformatim social që shfuqizoi sistemin “e rishpërndarjes së tokës” dhe zhvendosi qindra mijëra fshatarë në mënyrë që t’i vinte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit. Perandori Qin dogji librat e Konfuçit dhe varrosi të gjallë 400 shkollarë konfuçianë në mënyrë që t’i zhdukte idetë e tyre. Nuk është rastësi që një prej adhuruesve më të mëdhenj të Shan Yangut ishte Mao Zedongu, i cili ringjalli studimin e asaj periudhe të historisë kineze.

Aq shtypëse ishte Dinastia Qin sa zgjati vetëm gjashtëmbëdhjetë vjet. Perandori Qin kishte dhënë urdhër që të ekzekutohej secili oficer që pësonte disfatë në betejë, kështu që dy kolonelë që u gjeten në atë pozitë nuk kishin çfarë të humbnin dhe iu kundërvunë shefit. Dinastia Qin u zëvendësua me Dinastinë e madhe Han, që zgjati për pesëqind vjet. Legalizmi u zbut përmes një konfuçianizmi të rilindur, që riktheu respektin për edukimin dhe ofroi autonomi më të madhe për familjen.

Kështu që modeli totalitar i Xisë ka pararendës si në historinë moderne edhe atë të lashtë kineze. Por, është me rëndësi të mbahet mend se nuk është i vetmi model në dispozicion. Shumica e qeverive dinastike të Kinës parakomuniste nuk aspiruan as për së afërmi të kenë nivelin e kontrollit total si të Shang Yangut, Maos, apo Xisë. Ato qenë më afër tipit të autoritarizmit të praktikuar nën Deng Xiaopingun apo Jiang Zeminin. Për dallim prej legalizmit, tradita konfuçiane beson se qeniet njerëzore janë të mira në thelb dhe mund të përsosen përmes edukimit. Ajo njeh rëndësinë e tipave tjerë të marrëdhënieve njerëzore, e jo thjesht vetëm atyre që i lidhin individët e “atomizuar” me shtetin e gjithanshëm. Shumë historianë të mëhershëm kinezë e konsideronin Dinastinë Qin si një lloj çoroditje të traditës që duhet të shmanget e jo të imitohet. Trashëgimia marksist-leniniste sovjetike e ngulitur në praktikat e PKK-së së sotme ofroi një arsyetim të ri ideologjik për totalitarizmin, por i tillë që ishte në shpërputhje me shumë tradita të rrënjosura kineze.

Prandaj Kina e Xisë nuk është kulmim i pashmangshëm i historisë paraprake kineze. Kur u ngrit në krye të Partisë më 2012, shumë elita kineze shpresuan se do të merrej me korrupsionin e madh – gjë të cilën e bëri në mënyrë shumë autoritare – por edhe të shtronte rrugën për një Kinë më liberale që do të lejonte më shumë liri për t’u shprehur, menduar, ndërvepruar, dhe kritikuar qeverinë. Ata u zhgënjyen thellë kur ai lëvizi në drejtim të kundërt, duke vendosur prioritetin jo te mirëqenia e kombit të tërë, por te mbijetesa e Partisë Komuniste të Kinës. Pse e bëri këtë, lidhet me historinë e tij dhe marifetet personale; një tjetër lider mund të kishte marrë drejtim krejt tjetër. Nuk kishte pashmangshmëri historike që të sillte këto rezultate.

Rreziqet e një regjimi që kërkon kontroll totalitar dolën në sheh në ditët e para të krizës së Covid-19-shit, kur Dr. Li Wenliang u ndëshkua ashpër për arsye se foli haptas për epideminë. Për aq sa dihet, rrjedha e keqinformimit vazhdon edhe sot. Është gabim që qasja totalitare e PKK-së në menaxhimin e virusit të merret si model për t’u ndjekur nga vendet tjera. Fqinjët si Koreja e Jugut dhe Tajvani, që të dyja demokraci liberale, arritën rezultate më të mira gjatë pandemisë pa përdorur metoda drakonike si në Kinë. Një prej rreziqeve më të mëdha sot është se bota kërkon të adoptojë modelin totalitar të Xisë si formulë fituese në përballimin e krizave të ardhshme, në vend se modelin më të gjerë të Lindjes së Largët që kombinon kapacitetet e forta shtetërore me kompetencën teknokratike.

Si duhet pra që Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë tjera perëndimore të sillen me Kinën e Xisë? Pikë së pari duhet të kuptojnë se kanë të bëjnë me një vend me aspiratë totalitare ngjashëm me Bashkimin Sovjetik të mesit të shekullit 20 dhe jo më ndonjë regjim të zakonshëm “autoritar kapitalist”. Nuk ka sektor të vërtetë privat në Kinë. Edhe pse ka të njëfarë të drejte prone dhe ndërmarrës ambiciozë atje, shteti mund të shtrihet kur t’i teket dhe të kontrollojë çdonjërën prej firmave të “sektorit privat” si Tencent apo Alibaba. Edhe pse fushata e Trumpit kundër Huaweit ka qenë e ngathët dhe e paaftë në shumë aspekte, në thelb, qëllimi është i drejtë: Do të ishte çmenduri për çdo demokraci liberale të lejonte këtë kompani të ndërtonte infrastrukturën e saj të informacionit, duke e ditur se si mund të kontrollohet nga shteti kinez.

Më gjerësisht, Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë tjera liberale duhet të fillojnë gradualisht shkëputjen ekonomike nga Kina. Pandemia ka treguar se si Evropa si Amerika Veriore kanë krijuar varësi të rrezikshme ndaj aftësive prodhuese të një pushteti armiqësor. Sot ka plot vende të tjera nëpër botë ku mund të gjendet zinxhiri i furnizimit. Në vend të mjeljes së kapaciteteve duhet që të ketë konsideratë për qëndrueshmërinë, larminë e inputeve dhe vëmendje ndaj aftësive që mbahen nën kontroll më mirë në vendet që kanë vlera demokratike. Atrofia e furnizuesve perëndimorë të infrastrukturës 5G është diçka që nuk do të duhej të ndodhte kurrë.

Në politikën e jashtme, Shtetet e Bashkuara kanë përkushtim ligjor të mbështesin sigurinë e Japonisë dhe Koresë Jugore, duke i dhënë garanci edhe vendeve si Tajvani dhe Singapori. Për më tepër, ShBA-ja kërkon të mbrojë parimin global të lirisë së navigimit. Megjithatë, baraspesha ushtarake përbrenda “zinxhirit të parë të ishujve” është duke ndryshuar shumë shpejt me rritjen e qëndrueshme të aftësive ushtarake të Kinës, ndërkaq aftësia e Amerikës që t’i mbajë zotimet do të dobësohet gradualisht. Ajo duhet të merret prerazi me këtë mospërputhje dhe ose të përshtasë aftësitë e saj ose të gjejë mënyrën që të tërheq qëllimet e saj.

Fatkeqësisht, aspirata e PKK-së për kontroll total ka arritur demokracitë liberale përqark botës. Qindra mijëra kinezë që studiojnë, punojnë, dhe jetojnë jashtë shtetit për një jetë më të mirë, duke kuptuar që vendet e huaja ofrojnë mundësi më të mira. Por, PKK-ja, përmes departamentit të Frontit të Përbashkët do që t’i mbajë ata besnikë ndaj Kinës dhe t’i shfrytëzojë për të avancuar interesat e politikës së jashtme kineze. Ky ushtrim i atij që është quajtur “pushtet i mprehtë” ka kanosur lirinë akademike në shumë kampuse universitare në Perëndim, me ç’rast ka qenë i dukshëm presioni i grupeve të studentëve kinezë dhe organizatave të tjera. Kjo pastaj ngre dyshime të padrejta ndaj qytetarëve kinezë që çon te paragjykimet dhe akuzat a pabaza të besnikërisë së dyfishtë.

Përderisa duhet të kuptojmë se Kina e Xisë është pushtet totalitar, do të duhej që këtë mirëkuptim ta shoqërojmë me atë se kjo nuk është e ardhmja e domosdoshme ose e pashmangshme për Kinën. Regjimi është totalitar për nga aspirata, por jo domosdo në realitet. Në fund të fundit, nuk e dimë sa të efektshme do të jenë metodat e reja teknologjike të kontrollit siç është sistemi i kreditit social. Qytetarët kinezë sot kanë më shumë liri personale se sa qytetarët e Koresë së Veriut. Lojërat e mëhershme me kontrollin totalitar u dëshmuan të pasuksesshme: Dinastia Qin zgjati vetëm 16 vjet, ndërkaq Revolucioni Kulturor u shter brenda një dekade. Bindja ndaj rregullave të PKK-së shpesh është në baza vullnetare më shumë se pasojë e terrorit të pastër, por me ngadalësimin apo recesionin eventual të ekonomisë kineze, hapësira e regjimit për të përdorur stimuj pozitivë për bashkëpunim do të zvogëlohet. Ndryshe nga Mao, Xi nuk ka ndonjë ideologji të fortë për t’i dhënë legjitimitet; “socializëm me tipare kineze” apo “mendimi i Xi Jinpingut” nuk janë ide për të cilat njerëzit do të jepnin jetën.

Si mund të ndryshojë Kina në të ardhmen, si në aspektin e mekanizmit të ndryshimit, ashtu edhe në pasojat afatgjate për të cilat mund të shpresojmë?

Për sa i përket mekanizmave, duket se ka shumë pak gjasa që ndryshimi të vijë nga poshtë, prej një lëvizjeje të gjerë të tipit që kemi parë në revolucionet e ndryshme me ngjyra ose në ditët e para të Pranverës Arabe. Duke marrë parasysh nivelin e tashëm të kontrollit të PKK-së, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të koordinohej mobilizimi i masave. Regjimi ka pushtet shtypës sa të duash, të cilin nuk ka hezituar ta përdorë sipas nevojës.

Në rast të ndryshimit, ky mund të niste përbrenda niveleve të larta të vetë Partisë. Në njëfarë mënyre, njerëzit që janë prekur më së shumti nga ngritja e Xi Jinpingut në pushtet janë bashkanëtarët e Komitetit të Politbyrosë. Deng Xiaopingu la një trashëgimi të udhëqësisë së përbashkët, në të cilën asnjë individ, si i vetëm, nuk mund të grumbullonte pushtet diktatorial si të llojit të Maos. Ky sistem i shërbeu bukur mirë vendit për 30 vjet, por Xi e ka çrrënjosur tërësisht, duke mënjanuar udhëheqësit e lartë, duke iu eliminuar mandatet që do ta detyronin të largohej pas 10 vitesh dhe duke ndërtuar kultin e personalitetit përreth vetes. Një konspiracion elitash si ai që rrëzoi Nikita Khrushchevin në ish-Bashkimin Sovjet vështirë të arrihet, por në rrethana të paqarta ekonomike, ndarjet përbrenda udhëheqësisë do të mund të thelloheshin.

Në rast të ndryshimit, çfarë duhet të presë populli kinez?

Rruga e duhur do të ishte tranzicioni i vazhdueshëm përmes të cilit vendi së pari do të liberalizohej, pastaj të demokratizohej – rrugë e ndjekur prej shumë vendeve evropiane në shekujt XIX dhe XX. Pika fillestare do të ishte tranzicioni prej sundimit me ligj te sundimi i ligjit; rregulla të qarta duhet të zbatohen jo vetëm nga qytetarët e rëndomtë dhe nivelet e ulëta të qeverisë, por edhe nga vetë Partia. Duhet të ketë kufizime të vërteta kushtetuese ndaj ushtrimit të pushtetit të Partisë-Shtet, dhe rritje të qenësishme të autonomisë gjyqësore. Kushtetuta ekzistuese mund të jetë pikënisje, por ajo duhet të zhvishet nga “Katër Parimet” që i japin PKK-së autoritetin përfundimtar politik. Partia do të duhej të tërhiqte tentakulat që ka zgjatur në çdo cep e kënd të jetës kineze dhe t’i kthejë autoritetin qeverisë dhe Kongresit Kombëtar të Popullit. Qytetarëve do të duhej t’iu jepet më shumë liri për t’u shprehur, menduar, organizuar dhe kritikuar, të paktën në atë masë që ishte e mundur para epokës së Xi Jinpingut.

Tranzicioni afatshkurtër drejt demokracisë shumëpartiake të llojit që ndodhi në Tajvan ose Kore të Jugut në vitet 1980 do të ishte shumë më problematik. PKK-ja 90 milionë anëtarëshe nuk është vetëm grupim politik që drejton qeverinë nga lart, si në demokracitë parlamentare; ajo është qeveria në çdo kuptim praktik dhe përmban pjesën më të madhe të kapacitetit që kërkohet për funksionimin e shtetit. Demokratizimi do të duhej të fillonte përbrenda vetë Partisë, me ç’rast do t’u jepej më shumë autonomi organeve të nivelit të ulët, autoriteti i të cilëve do të rridhte përpjetë drejt niveleve më të larta, të kundërtën e situatës së tanishme.

Nuk ia vlen të spekulohet në detaje për llojet e reformave që mund të ndodhnin në Kinën e së ardhmes. Përveç në nivel të përgjithshëm, ShBA-ja nuk duhet ta ketë pjesë të politikës së saj të jashtme shtyrjen e Kinës në këtë drejtim. Presioni nga një ShBA e dobësuar dhe në shumë aspekte e diskredituar fill pas pandemisë globale do të ishte sipas të gjitha gjasave kundërproduktive. Këto ndryshime duhet të vijnë prej vetë popullit kinez, dhe posaçërisht prej elitave kineze të cilat e kuptojnë se si funksionin sistemi i tyre dhe cilat janë pikat e ndjeshme të ndryshimit.

Çfarë duhet të mbajnë mend amerikanët është se armiku i tyre në këtë moment nuk është Kina, por Partia Komuniste e Kinës e cila ka ndezur motorin e totalitarizmit. Nuk kemi të bëjmë me Kinën e viteve 1990 as 2000, por me një krejt tjetër kafshë që paraqet sfidë të vërtetë për vlerat tona demokratike. Duhet ta mbërthejmë në vend derisa të kthehet në një vend autoritar normal, ose rrugës për t’u bërë vend liberal. Kjo nuk do ta largojë domosdo sfidën që paraqet Kina; një Kinë më liberale shumë lehtë bëhet më nacionaliste. Sido që të jetë, do të ishte shumë më lehtë të merreshe me të.

Fatkeqësisht, përgjatë 3-4 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara ka bërë çmos për ta dobësuar vetveten. Ka zgjedhur një lider që zbavitet shumë më tepër duke demonizuar kundërshtarët e brendshëm se sa rivalët e jashtëm, që ka flakur pa çarë kokën standardet e larta morale që kanë qenë themel i pushtetit global amerikan, dhe i cili ka qeverisur vendin me aq jokompetencë përgjatë krizës më të madhe të tre brezave të fundit, sa që nuk merret më seriozisht as prej miqve as prej armiqve. Përderisa demokracitë si grup nuk ia kanë dalë më keq në kontrollimin e krizës se sa qeveritë autoritare, Kina është në gjendje të vetëparaqitet si performuese më e mirë se Shtetet e Bashkuara, dhe ky krahasim dypalësh është në qendër të vëmendjes sot nëpër botë. Para se të mendojmë të ndryshojmë Kinën, na duhet të ndryshojmë Shtetet e Bashkuara dhe të rikthejmë pozicionin e saj si pishtar global i vlerave demokratike liberale nëpër botë. /Artikulli origjinal në The American Interest/Në shqip nga: sbunker.net/

(Francis Fukuyama është kryetar i bordit të redaksisë së The American Interest. Shkrimet e tij mbi zhvillimet politike kineze mund të gjenden në librat e tij The Origins of Political Order dhe Political Order and Political Decay)

Exit mobile version