Telegrafi

Çfarë ka thënë Castro, për rakinë e Skraparit? (Video)

Former Cuban leader Fidel Castro drinks water during a meeting with students at Havana's University September 3, 2010. REUTERS/Desmond Boylan

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kubë, Çlirim Çepani, rrëfen marrëdhëniet e tij me Fidel Castron.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Çepani zbulon momente nga bisedat me Castron, mënyrën sesi ai e njihte Shqipërinë dhe vizionin e tij për botën.

Çepani thotë se Castro ishte një person pa komplekse, i cili kishte marrëdhënie me të gjitha shtetet e botës, me përjashtim të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kubë thotë se Castro gëzonte një popullaritet të madh, duke qenë se kishte ëndrrat e veta si idealist.

Edhe pse i cilësuar si diktator për 50 vjet në Kubë, ai ka pasur edhe pikëpamje liberale brenda vendit dhe në raportet me ndërkombëtarët.

Duke rrëfyer një moment nga një nga takimet me Fidel Kastron, Çepani tregon se çfarë i ka thënë ai për Nënë Terezën.

“Ju keni Nënë Terezën. Unë Nënë Terezën, e kam mike. E kam pritur dy-tre herë në Havanë dhe i kam krijuar kushte për të realizuar misionin e saj”, është shprehur Kastro.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kubë tregon edhe një moment tjetër ku gjatë një takimi, i ka ofruar Fidel Kastros bakllava shqiptare dhe raki Skrapari.

“Ai piu edhe dy gota raki, dhe një bakllava shqiptare të ofruar nga ana ime. Ma kishte dërguar babai nga Skrapari, një shishe raki, e pahapur, dhe kur u ulëm unë i thashë bashkëshortes të na e sillte. Ai e provoi dhe më pyeti se çfarë është. I shpjegova që bëhet nga rrushi dhe është shumë e mirë. Më tha: Kemi bërë edhe ne një lloj rakie në Spanjë, kjo qenka akoma më e mirë. Kastro kishte humor, dhe ishte shumë i kujdesshëm në veprimet që bënte. Ai doktori dhe shoqëruesi që rrinte nga pas bëri sikur fshiu tavolinën dhe hoqi shishen, për ta kontrolluar, pasi atij i ishin bërë rreth 600 atentate të dështuara dhe nuk pinte asnjë lloj pije nëpër pritje. Ai bëri sikur nuk e pa, por pas 2-3 minutash u tha silleni atë shishen. Dhe më tha mbushe edhe nganjëherë, për të vërtetuar se kam ardhur vërtet në mënyrë miqësore”, ka thënë ai. /BW/