Telegrafi

Çfarë ironie! Këshilli rajonal italian përmbytet nga uji, menjëherë pasi kundërshtoi masat për luftimin e ndryshimeve klimatike

Këshilli rajonal i Venetos, i cili ndodhet në Kanalin e Madh të Venecias, u përmbyt për herë të parë në historinë e tij të martën – menjëherë pasi hodhi poshtë masat për të luftuar ndryshimin e klimës.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, qyteti historik italian është përballur me një situatë të rëndë këtë javë nga përmbytja më e madhe atje në më shumë se 50 vjet.

Dhe dhoma e këshillit në Pallatin Ferro Fini filloi të përmbytej nga uji rreth orës 10 të mbrëmjes me kohën lokale, ndërsa këshilltarët po debatonin për buxhetin rajonal të vitit 2020, tha këshilltari i Partisë Demokratike Andrea Zanoni në një postim të gjatë në Facebook.

“Ironikisht, dhoma u përmbyt dy minuta pasi shumica e Lidhjes, Vëllezërit e Italisë, dhe partitë e Forza Italia refuzuan ndryshimet tona për të adresuar ndryshimin e klimës”, tha Zanoni, i cili është nënkryetar i komitetit të mjedisit, në postim, i cili gjithashtu ka publikuar fotografi të ambienteve nën ujë.

Ndër ndryshimet e refuzuara ishin masat për të financuar burimet e rinovueshme, për të zëvendësuar autobusët me naftë me “ato më efikase dhe më pak ndotëse”, për të hequr soba ndotëse dhe për të zvogëluar ndikimin e plastikës, tha ai.

Zanoni vazhdoi të akuzojë presidentin rajonal të Venetos, Luca Zaia, i cili është anëtar i partisë së ekstremit të djathtë të Matteo Salvini, për paraqitjen e një buxheti “pa veprime konkrete për të luftuar ndryshimin e klimës”.

Zëdhënësi i këshillit rajonal Alessandro Ovizach konfirmoi për CNN se këshilli ishte përmbytur pasi diskutoi ndryshimet në buxhetin e vitit 2020 – pa specifikuar se cilat.

Megjithatë, presidenti i këshillit, Roberto Ciambetti i Lidhjes, hodhi poshtë akuzat e Zanoni në një deklaratë për CNN.

“Përtej propagandës dhe leximit mashtrues, ne po votojmë (për) një buxhet rajonal që ka shpenzuar 965 milionë euro gjatë tre viteve të fundit në luftën kundër ndotjes së ajrit, smogut, i cili është një faktor përcaktues në ndryshimin e klimës”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/