Site icon Telegrafi

Çfarë është meritokracia?

Meritokracia nuk është gjë tjetër veçse vlera që i njihet tjetrit, nisur nga vërtetësia e tyre, sundimi i aftësisë. Ndesh me nepotizmin, përvoja këtu ka treguar jo rrallë që djali i filanit bëhet shef aty ku ka qenë i ati. Kjo gjë ngre, për shembull, së paku dy pyetje:

– Fëmija i punëtorit a mund të bëhet kryeministër?

– Fëmija i një politikani a duhet të jetë kryeministër?

Merita është e barabartë me talentin, ose si masë të veten ka talentin. Kur dikush kryen një funksion, qoftë politik, shoqëror, drejtues në ekonomi e kudo, këtë duhet ta bëjë në bazë të talentit, i cili nxjerrë në pah edhe meritat në fushën përkatëse, ose çliron aftësitë e duhura. Nëse i futemi thellë fjalës meritë, zbulojmë në thelbin e saj bazën e demokracisë, ose e pakta mund të krahasohet me të për nga përmbajtja.

Në fakt, në kushtet e Shqipërisë së sotme, meritokracia do të ndeshet shumë shpejt me klasat që sundojnë, me forcat politike, me paditurinë e tyre dhe me pandërgjegjjen e tyre: këneta e Stigjes që e mbyt me avuj helmues meritokracinë.

Në Shqipëri, sistemi politik qeveritar është zëvendësuar me atë besues (ky është i partisë sime); meritokracia (edhe pse s’është i partisë sime, i përket pozicioni drejtues sepse ka talent dhe njohje profesionale të thellë) tenton të zhduket pa dëshirën e vet.

Duke gërvishtur paksa në sipërfaqe këtë plagë të trashëguar shqiptare – them të trashëguar, sepse s’mund të përjashtohet koha që e ka përpunuar, për shembull lidhjet fisnore, krahinore, politike, ekonomike, ideologjike, etike etj. (spostohen vetiu në fund dhe nëse dalin në krye të listës, atëherë shpaloset një pamje tjetër).

Nuk besojnë ata që s’mbushin barkun me bukë, por ata që e frynë plancin aq sa u pëlcet. Asnjë varfanjak, p.sh. një që s’ka të hajë bukë në darkë, nuk mendon me zemërim fqinjin e tij që ka dhe nuk i shkon ndërmend se tjetri po i ha kafshatën e bukës që i takon atij.

Në rastin në fjalë rrëshqasim drejt zilisë. Merita këtu qëndron shumë larg horizontit. Një trup i uritur nuk ka kohë fiziologjike për mendime dhe ndjenja mefistofelike, sepse duhet të luftojë për ekzistencën. Ndërsa, një politikan, nga ana tjetër është mirë nga gjendja ekonomike – domethënë nga ata që gjithë ditën mendojnë të përvetësojnë diçka sepse e “meritojnë”. Për ç’arsye?! Pra ky politikan mundet dhe e eliminon meritokracinë – akti në veprim, duke e zëvendësuar me plutokracinë. Ja pra arsyeja…

Plutokracia si fuqi politike është në varësi të fuqisë ekonomike, pavarësisht nga aftësia profesionale dhe intelektuale e politikanit në fjalë. Mund të jetë një i paditur, por ka pasuri, e natyrisht dikton edhe politikën.

Në Shqipëri ky është një fenomen tmerrësisht i rrezikshëm, i konkretizuar çdo ditë me ngjarje të ndryshme, ku nuk sundon ligji, por vullneti i politikanit, i ministrit, i nëpunësit doganor etj. Është për t’u shënuar se historikisht ardhja në fuqi e nazizmit u pasua edhe nga lufta që i bëri plutokracisë, duke e lidhur këtë fenomen të shëmtuar me vendet demokratike, për të justifikuar diktaturën, dhe si mjet, ai (nazizmi), përdori pakënaqësinë e masave. Pra, kur plutokracia zëvendëson meritokracinë, do të thotë as më shumë dhe as më pak se mbytje e demokracisë. Një fenomen i tillë lehtëson përpunimin e pakënaqësisë.

Çfarë ndodh me pjesëmarrësit e një konkursi i cili ka si rrjedhojë edhe çmime? Ja një pyetje që zbulon diçka shumë interesante. Thuajse të gjithë, përjashto fituesin e çmimit ose vendit parë, janë të pakënaqur. Ndodh kjo ngaqë të gjithë mendojnë se u është bërë një padrejtësi. Ata që nuk fituan asgjë janë të pakënaqur; ata që fituan një çmim të tretë besonin se meritonin të dytin,e ndoshta të parin (dëshira është maksimale, kurrë një rrugë e mesme); dhe, ai që fiton çmimin e dytë besonte se meritonte të parin. Pse ndodh kjo? Sepse të gjithë e konceptojnë sikur u është bërë një padrejtësi.

Në fakt çmimet janë diçka që vetëm fitohen, asnjëherë nuk humben.

 

Exit mobile version