Sindroma Asperger (AS) është një nga një grupet e çrregullimeve neurologjike të njohura si çrregullime të spektrit të autizmit (ASD)
Sindroma Asperger është në skajin e butë të spektrit. Njerëzit me AS shfaqin tre simptoma kryesore:
– vështirësi në ndërveprimin shoqëror
– sjellje të përsëritura
– përqëndrim i fortë ndaj rregullave dhe rutinës
Origjina
Sindroma është emëruar pas pediatrit austriak Hans Asperger. Në vitin 1944, Hans Asperger diagnostikoi fëmijë, të cilët shkuan tek ai për trajtim dhe posaçërisht nuk kishin aftësi komunikimi joverbal, kishin kufizim në të kuptuarit të emocioneve të të tjerëve dhe ishin fizikisht të ngathët. Kuptimi bashkëkohor i sindromës Asperger erdhi në në vitin 1981. Ajo u bë një diagnozë e standardizuar në fillimin e viteve 1990.
Disa njerëz me çrregullime të spektrit të autizmit klasifikohen si me funksionim të lartë. Autizmi me funksionim të lartë do të thotë që këta individë nuk kanë aftësi gjuhësore të vonuara dhe probleme me zhvillimin njohës. Shpesh, individët e diagnostikuar me sindromën Asperger kanë inteligjencë normale ose mbi normale. Përveç kësaj, njerëzit me këtë sindromë janë në gjendje të arsimohen dhe të punojnë.
Sindroma Asperger nuk mund të kurohet. Diagnostikimi dhe ndërhyrja e hershme mund të ndihmojë këta njerëz të krijojnë lidhje shoqërore, të arrijnë potencialin e tyre dhe të bëjnë një jetë produktive.
Greta Thunberg – e diagnostikuar me sindromën Asperger në moshën 11-vjeçare. Ajo e quan atë superfuqinë e saj
Cilat janë simptomat?
Simptomat ndryshojnë nga personi në person, por shpesh kanë një përqendrim obsesiv ndaj një teme me rreth të ngushtë interesi, si dinozaurët, oraret e trenave etj. Personi me sindromën Asperger nuk i kupton përpjekjet e personit tjetër për të ndryshuar temën e bisedës. Kjo është një nga arsyet që fëmijët me këtë sindromë kanë vështirësi në ndërveprimet shoqërore.
Njerëzit me sindromën Asperger nuk janë në gjendje të lexojnë shprehjet e fytyrës dhe gjuhën e trupit dhe kanë vështirë për të njohur ndjenjat e njerëzve të tjerë. Është e zakonshme që njerëzit me këtë gjendje të shmangin kontaktin me sy kur flasin me të tjerët.
Njerëzit me sindromën Asperger mund të flasin pa shfaqur ndonjë shprehi në fytyrë. Po kështu, mund të kenë vështirësi me aftësitë themelore motorike, të tilla si vrapimi ose ecja. Këta fëmijë mund të kenë mungesë të koordinimi.
Çfarë e shkakton sindromën Asperger?
Ndryshimet në tru janë përgjegjëse për shumë nga simptomat. Sidoqoftë, mjekët nuk kanë qenë në gjendje të përcaktojnë saktësisht se çfarë i shkakton këto ndryshime. Faktorët gjenetikë dhe ekspozimi ndaj toksinave mjedisore, të tilla si kimikate ose viruse, janë identifikuar si kontribues të mundshëm në zhvillimin e çrregullimit. Djemtë kanë më shumë të ngjarë ta kenë këtë sindromë.
Si diagnostikohet sindroma Asperger?
Nuk ka një provë të vetme që mund t’ju tregojë nëse dikush ose ju keni sindromën Asperger. Në shumë raste, prindërit raportojnë vonesa ose vështirësi në zhvillim ose në sjellje. Nëse fëmija juaj është në shkollë, mësuesi mund të vërejë probleme zhvillimi. Këto çështje duhet t’i raportohen mjekut, shkruan Anabel.
Me rëndësi janë:
– zhvillimi i gjuhës
– ndërveprimi shoqëror
– shprehja e fytyrës kur flasin
– koordinimi motorik dhe aftësitë motorike
– qëndrimet ndaj ndryshimeve
Si trajtohet sindroma Asperger?
Ekzistojnë trajtime të ndryshme që mund të zvogëlojnë simptomat e çrregullimit dhe të ndihmojnë personin të arrijë potencialin e plotë. Trajtimi shpesh bazohet në simptomat specifike.
Trajtime të tjera, përveç medikamenteve, të cilat mund të përmirësojnë aftësitë e komunikimit, rregullimin emocional dhe ndërveprimin shoqëror janë:
– trajnime për aftësitë sociale
– terapi e të folurit
– terapi fizike
– terapi njohëse të sjelljes
Cila është perspektiva afatgjatë për një njeri me sindromën Asperger?
Nuk ka shërim për sindromën. Sidoqoftë, shumë fëmijë me çrregullim kanë një jetë të shëndetshme dhe produktive me trajtim dhe ndërhyrje të hershme.
Megjithëse shumë prej tyre ende kanë probleme me ndërveprimet shoqërore. Shumica e të rriturve me këtë sindromë janë në gjendje të jetojnë të pavarur. /Telegrafi/