Site icon Telegrafi

Çfarë duhet të dini për tri prurjet e reja tek Kosova për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka publikuar sot (e premte) listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet që Kosova do t’i luajë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve ndaj Rumanisë dhe Qipros, duele këto që do të zhvillohen më datë 6 dhe 9 shtator.

Në listën e përzgjedhësit Foda që bëjnë pjesë 25 lojtarë, nuk mungojnë yjet si Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Valon Berisha, Amir Rrahmani, por ajo që ka marrë vëmendjen janë tre emra të rinj që janë bërë pjesë e listës së 58-vjeçarit.

Bëhet fjalë për Elvis Rexhbeçajn, Eliot Bujupin dhe Fisnik Asllanin që do të shtojnë cilësi në ekipin e teknikut austriak.

Rexhbeçaj i cili në korrik pranoi që t’i bashkohet Kosovës, luan në mesfushë dhe aktivizohet në radhët e Augsburgut ekip që bën gara në elitën e futbollit gjerman.

Foto: Elvis Rexhbeçaj

Sezonin që lamë pas, 26-vjeçari u paraqit në 25 ndeshje duke luajtur nga minuta e parë në 24 prej tyre. Ai pati një saktësi të madhe të pasimeve prej 80.9 për qind, ndërsa zuri vendin e katërt në ekipin e Augsburgut sa i përket përqindjes së ndërhyrjeve të sakta prej 52.07 për qind.

Elvis Rexhbeçaj ka luajtur në total 159 ndeshje gjatë karrierës së tij në Bundesliga. Në total nga këto ndeshje ai ka fituar 51 sosh.

Ai ka shënuar nëntë gola në elitën e futbollit gjerman, ndërsa deri më tani numëron 56 paraqitje me ekipin aktual. Me fanellën e Augsburgut, Rexhbeçaj ka shënuar dy gola.

Një lojtar që duhet ndjekur me kujdes gjatë këtyre dy ndeshjeve është padyshim edhe Eliot Bujupi i cili ka dëshmuar të jetë një sulmues ‘vdekjeprurës’ para portës.

Foto: Eliot Bujupi

Bujupi i cili aktivizohet në grupmoshat U19 të Stuttgartit, e ka nisur furishëm sezonin 2024/2025 duke arritur që të shënojë tetë gola në katër ndeshje të luajtura.

Nëse përfshijmë edhe statistikat e sezonit të kaluar, atëherë i bie që talenti 18-vjeçar ka shënuar 24 gola dhe ka dhuruar 12 asistime në 33 ndeshje të luajtura, duke dhënë shpresë se Kosova ka në duart e saj një yll i cili nuk di të gabojë para portës.

Një tjetër risi për tifozët dardanë është edhe sulmuesi shtatgjatë Fisnik Asllani i cili po shkëlqen me ekipin e tij Elversberg në kategorinë e dytë të futbollit gjerman.

Foto: Fisnik Asllani

Asllani i cili shquhet për goditje të fortë dhe lojën në ajër, do të jetë një armë shtesë për Fodën në fazën e sulmit.

Deri më tani ai është paraqitur në tri ndeshje me fanellën e ekipit gjerman, duke arritur që të shënojë dy gola dhe të asistojë tek një tjetër.

Ndeshjen e parë Kosova do ta luajë ndaj Rumanisë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ më datë 6 shtator, ndërsa tri ditë më vonë (9 shtator) do të ndeshet në udhëtim me Qipron./Telegrafi/

Exit mobile version