Ka mbetur vetëm edhe një vend i lirë në kampionatin anglez për skuadrat që do të luajnë në Ligën e Kampionëve në sezonin 2019/2020.
Pas Liverpoolit dhe Manchester Cityt, Chelsea e ka siguruar pjesëmarrjen në garën më të madhe evropiane për klube, pas fitores ndaj Watfordit, derisa Arsenali dhe Manchester Unitedi lëshuan pikë.
Pikë ka lëshuar edhe Tottenham Hotspur, ashtu që është zhvendosur në pozitë të katërt në tabelë, mirëpo me gjasa reale për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Spursave u mjafton një pikë në ndeshjen e fundit sezonale kundër Evertonit, mirëpo ata kanë gjasa të mëdha që të kualifikohen edhe në rast se e humbin ndeshjen.
Nga ana tjetër, Topçinjtë do të luajnë në Ligën e Kampionëve në se e fitojnë Europa Leaguen, ose duhet të shpresojnë që Tottenhami të humbë me shumë gola dhe ata të fitojnë me shumë gola ndaj Burnleyt, aq sa ta përmirësojnë diferencën e golaverazhit prej tetë golash në raport me Spursat. /Telegrafi/