Site icon Telegrafi

Çfarë duan kosovarët: nacionalistë të majtë apo young europeans

Në prag të zgjedhjeve të para të përgjithshme pas pavarësimit të vendit, në garë për pushtetin qendror u hodhën Vetëvendosja dhe Fryma e Re. Derisa e para u mëshon ideve nacionaliste të kombinuara me qëndrime të majta në boshtin ekonomik apo lirisë ekonomike, e dyta del si një frymë e ‘young europeans’ që premton zhvillim ekonomik dhe shtet funksional sipas recetës së ideologjisë neo-liberale. Të dyjat kërkojnë votuesit e tyre në mesin e qytetarëve të hidhëruar në klasën aktuale politike. Mirëpo, sa janë të mundshme projekte të tilla politike në Kosovë, kjo është çështja.

Çdo brez kërkon të përfaqësohen interesat e tij në politikë. Prandaj, dështimet e klasës politike komuniste të Kosovës në ish-Jugosllavi për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në kohën kur federata kishte nisur të çintegrohej, lindën nevojën për një klasë të re politike e cila do të përfaqësonte interesat e atij brezi. Ajo klasë doli nga intelektualë të cilët themeluan lëvizjen mbarëpopullore LDK. Mirëpo, shtypja, segregacioni dhe brutaliteti i Serbisë në Kosovë bëri që rezistenca paqësore e LDK-së të humbiste kredibilitetin në mesin e segmenteve të ndryshme shqiptare në Kosovë. Kështu, lindi nevoja për një rezistencë të armatosur e cila do t’i bënte ballë shtypjes serbe që nuk kishte të ndalur. Këtë rol e mori UÇK që u themelua nga lëvizje ilegale shqiptare e Kosovës. Kjo risi në mënyrën e organizimit të rezistencës solli edhe rezultatet e saja që përfunduan me intervenimin ushtarak dhe largim të Serbisë nga Kosova.

Skena politike e pasluftës në Kosovë nuk solli ndonjë risi në kuptim të organizimit dhe përfaqësimit politik në Kosovë. Aty vazhdonte të mbizotëronte LDK-ja, dhe dy parti të dala nga formacione rajonale të UÇK-së: PDK dhe AAK. Qeveritë e trazuara përbëheshin nga koalicione ndërmjet këtyre partive dominuese. Dhe sot e njëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk ka pasë ndonjë presion apo kërkesë të fuqishme nga shoqëria për parti me programe, koncepte, a ideologji të reja që do të përfaqësonin interesa shoqërore të cilave LDK, PDK e AAK nuk iu adresoheshin. Natyrisht, pas këtyre, partitë e tjera me peshë nuk janë themeluar për të ofruar ide të reja për qytetarë, por kryesisht për aspirata bajraktariste të politikanëve, si reagim ndaj atyre aspiratave, ose si rezultat i fraksioneve brendapartiake. Në saje të mungesës së kërkesave të shprehura fuqishëm nga vetë shoqëria, përveç partive ‘të vogla’, nuk ka mundur të formohet ndonjë parti konkurruese.

Veç anëtarëve të rinj të angazhuar në ndonjërën prej këtyre partive, apo qarkullimit të anëtarëve nga njëra tek tjetra parti, partitë e lartpërmendura nuk i janë nënshtruar ndonjë riorganizimi dhe nuk kanë ndryshuar ofertën e tyre. Programet janë po ato të vjetrat, ndërsa liderët mbesin të pazëvendësueshëm. Si rezultat, ato në vijimësi kanë humbur nga elektorati nga zgjedhjet në zgjedhje, ose – në rastin më të mirë – nuk kanë shtuar elektorat të ri.

Kriza institucionale në vend solli me vete edhe një krizë tjetër: çështjen aq të debatueshme të zgjedhjeve të parakohshme dhe më në fund edhe të të ashtuquajturave zgjedhjeve ‘të jashtëzakonshme’. Po, kalkulimet e ftohta të partive dhe të pozicioneve të tyre para kësaj dileme ka zbuluar se halli i partive është se cili opsion do të maksimizojë pushtetin e tyre, pavarësisht interesit publik. Derisa LDK nuk e shihte si problem daljen e saj nga koalicioni qeverisës dhe ngulte këmbë se Kushtetuta parasheh që Kuvendi duhet ta zgjedh presidentin për të plotësuar kështu hendekun institucional, PDK nuk mund ta pranonte këtë, por nxitonte për zgjedhje sa më të shpejta.

Partitë në opozitë u gjetën të papërgatitura për zgjedhje të ‘jashtëzakonshme’, ose e panë si një shans për t’u futur në koalicion qeverisës me një nga partitë e mëdha. Partitë e vjetra po rigrupohen, ndërsa karrieristët e vjetër dhe të rinj po rekrutohen e qarkullojnë nëpër partitë e vjetra. Koalicionet parazgjedhore bëhen për të kënaqur pasionet për pushtet. Dhje kjo nuk më befason. Nuk kam iluzione; politika është ‘luftë’ për pushtet. Mirëpo, kur pushteti synohet për ambiciet personale të pushtetarëve dhe fare pak ose aspak për vizionet e programet partiake, kjo pa mëdyshje tregon se sa thellë është katandisur politika në shoqërinë tonë.

Duke e parë këtë degjenerim të idesë së politikës në vend, garës për pushtet në prag të zgjedhjeve të para të përgjithshme pas pavarësimit të vendit iu shtua edhe Vetëvendosja tashmë si subjekt politik, e cila po u mëshon ideve nacionaliste, kundër politikave të imponuara nga jashtë dhe kundër politikanëve të korruptuar vendës. Ngutia për zgjedhje të hershme nxori edhe një tjetër parti e cila ende pa lindur mirë po farfurit, pra Frymën e Re (FER), e cila votuesit e saj i kërkon në mesin e qytetarëve të cilët duan që politika e Kosovës të frymojë me ‘young europeans’.

Kemi dy parti të reja të cilat flasin për probleme dhe zgjidhje (të menduara e të pamenduara) dhe për qëllimin e tyre të sinqertë se duan të punojnë për shqiptarët ose qytetarët e Kosovës, respektivisht, për popullin e varfër etj. Këta përsërisin betë e partive të vjetra se kanë qëllim të mirë e të pastër, njerëz me integritet e të pakorruptuar, e kështu me radhë. Por, kjo nuk është arsye e mjaftueshme për të shkruar për këto dy parti, sepse kjo nuk përbën asgjë të re. Rëndom, partitë në opozitë për të legjitimuar vetveten përdorin retorikë që kundërshton ‘qeverisjen e keqe’ dhe premton ‘qeverisje të mirë’, e kështu me radhë.

Prurja e këtyre dy partive të reja në skenën politike është e një natyre tjetër të veçantë. Këto dy subjekte politike, sado që kanë ide të kundërta për çështje kyçe, emërues të përbashkët kanë se në politikë po hyjnë duke (a) shpresuar se hidhërimin e qytetarëve në klasën aktuale politike do ta përdorin si shans për vete, dhe ndoshta (b) vënë theksin në programet e tyre politike dhe jo domosdoshmërisht në liderë a persona. (Natyrisht, personaliteti i liderëve mbetet një kartë të cilën, posaçërisht Vetëvendosja nuk ia lejon vetes të mos e përdorë në garën për vota). Mendoj, se këto janë arsye për të cilat ia vlen të mendosh për këto parti të veçanta.

Mirëpo, sa të mundshme janë projekte të tilla politike në Kosovë, kjo është çështja. A mund dhe a do të shndërrohet ky hidhërim me automatizëm në vota për këto dy parti, duke marrë parasysh kulturën politike në vend, dhe sa vota do të fitojnë duke u bazuar kryesisht në manifeste e programe politike që as nuk kanë kohë t’i mendojnë për vete, lere t’ua komunikojnë elektoratit?

(Autori është mësimdhënës universitar)

Exit mobile version