Site icon Telegrafi

Çfarë dimë deri tani rreth përplasjes mes aeroplanit dhe helikopterit?

Autoritetet kanë filluar procesin e vështirë të hetimit për të kuptuar se si një aeroplan pasagjerësh i American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter ushtarak Black Hawk i ushtrisë amerikane me tre ushtarë u përplasën të mërkurën në mbrëmje pranë Aeroportit Kombëtar Reagan, duke e bërë këtë fatkeqësinë ajrore më vdekjeprurëse në SHBA që nga viti 2001.

Besohet se nuk ka të mbijetuar, shkruan cnn.

Por, çfarë dihet deri tani rreth tragjedisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

NTSB drejton hetimet – Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) po udhëheq hetimin mbi përplasjen. Sekretari i sapokonfirmuar i Transportit, Sean Duffy, tha se është duke u punuar për të rikuperuar mbetjet e aeroplanit, i cili u copëtua në lumin Potomac. “NTSB do të analizojë aeroplanin, duke bashkëpunuar me FAA për të marrë rezultatet më të mira të mundshme për popullin amerikan”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Teoricienët e konspiracionit thonë se përplasja e helikopterit me aeroplanin në Uashington ishte e qëllimshme – tregojnë ‘argumentet e tyre’

Gjetja e trupave të viktimave nga Potomac – Janë gjetur 27 trupa nga aeroplani i American Airlines dhe një trup nga helikopteri ushtarak. Shoqata Amerikane e Patinazhit Artistik konfirmoi se disa anëtarë të komunitetit të tyre ndodheshin në bord, por identitetet e të gjithë pasagjerëve ende nuk janë publikuar. Departamenti i Mbrojtjes nuk ka bërë publikë emrat dhe gradat e ekuipazhit ushtarak deri sa të njoftohen familjarët, tha Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Kryetarja e Bashkisë së Wichitas, Lily Wu, tha se ende nuk kanë manifestin e fluturimit.

CEO i American Airlines fajëson helikopterin – Drejtori ekzekutiv i American Airlines, Robert Isom, la të kuptohet se faji për përplasjen mund të jetë i helikopterit ushtarak. “Për momentin, nuk e dimë pse helikopteri ushtarak hyri në trajektoren e aeroplanit të PSA”, tha ai të enjten në mëngjes.

Të dy fluturimet ishin në rrugë standarde – Sekretari Duffy tha se të dyja fluturimet ndodheshin në “modelin standard të fluturimit” kur ndodhi përplasja. “Nuk është e pazakontë që një aeroplan ushtarak të fluturojë mbi lumë ndërsa avionët zbresin në DCA”.

Lexo po ashtu Përplasja aeroplan-helikopter në Uashington - mbi 30 trupa të nxjerrë nga lumi, zyrtarët “nuk presin të ketë të mbijetuar”

Black Hawk ishte në një fluturim stërvitor – Hegseth sqaroi se ekuipazhi i helikopterit ishte me përvojë dhe po kryente një vlerësim të natës, si pjesë e trajnimeve të rregullta. Ata kishin pajisje për shikimin e natës. Hetimi do të përcaktojë nëse helikopteri ndodhej në korridorin dhe lartësinë e duhur në momentin e përplasjes.

Pilotët e aeroplanit kishin përvojë – American Airlines konfirmoi se të dy pilotët e Fluturimit 5342 ishin me përvojë në operimin e aeroplanëve komercialë kompleks.

Përplasja ishte e parandalueshme – “Po presim të dhëna të plota, por nga ajo që kemi parë deri tani, a mendoj se kjo mund të ishte parandaluar? Absolutisht”, tha Duffy.

Është shumë herët për të spekuluar – Shoqata Kombëtare e Kontrollorëve të Trafikut Ajror theksoi në një letër drejtuar anëtarëve se është “herët për të spekuluar mbi shkakun kryesor” të përplasjes.

Deklarohet presidenti amerikan – Donald Trump ka fajësuar ish-presidentët për përplasjen e aeroplanit dhe helikopterit. /Telegrafi/

Exit mobile version